Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektuan punën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku u njohën me menaxhimin e fluksit të udhëtarëve dhe veprimtarinë e strukturave të Policisë Kufitare.
Gjatë vizitës, Demo falënderoi efektivët për angazhimin në përballimin e numrit në rritje të udhëtarëve, duke theksuar rolin e tyre në krijimin e përshtypjes së parë për turistët që vizitojnë Shqipërinë.
“Përpunimi i 9.2 milionë turistëve në këta tetë muaj tregon jo vetëm angazhimin e forcave të policisë, por edhe suksesin që ka Shqipëria. Ju jeni fytyra e parë që shohin vizitorët në vendin tonë dhe marrëdhënia që krijoni është ajo që duam të tregojmë për Shqipërinë”, deklaroi ministri.
Demo tha se Aeroporti i Rinasit vazhdon të jetë pika kryesore e hyrjes në vend dhe se strukturat përgjegjëse duhet të përgatiten për një rritje të mëtejshme të fluksit.
Sipas tij, vetëm gjatë muajit gusht janë përpunuar 1.7 milionë udhëtarë, ndërsa tre portat elektronike të kontrollit kufitar kanë mundësuar përpunimin e rreth 3 milionë pasagjerëve.
“Ne presim edhe më shumë turistë, më shumë fluks dhe më shumë punë. Fakti që 3 milionë pasagjerë janë përpunuar vetëm nga tre e-gate tregon efikasitetin që sjell teknologjia”, u shpreh Demo.
Autoritetet synojnë të zgjerojnë përdorimin e teknologjisë në pikat kufitare për të përshpejtuar procedurat e kontrollit dhe për të shmangur krijimin e radhëve gjatë periudhave me fluks të lartë.


