Richard Grenell ka reaguar ashpër pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke kërkuar veprime për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.
Reagimi i Grenellit erdhi pasi Thaçi u dënua me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në të njëjtin aktgjykim, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim
Grenell e ka cilësuar të papranueshëm vendimin ndaj Thaçit.
“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit, për një luftë të 25 vjetëve më parë, është skandaloz”, ka shkruar Grenell.
Ai ka drejtuar kritika të ashpra ndaj gjykatave ndërkombëtare dhe personave të përfshirë në proces.
“Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të çmendur të majtë. Është e qartë se ata nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk po e drejtonte luftën”, ka shkruar Grenell.
Në postimin e tij, Grenell ka përmendur me emër edhe gjyqtarin zviceran Guénaël Mettraux.
“Gjyqtari zviceran Guenael Mettraux ishte udhëheqësi i vërtetë, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur në vend të tyre politikën e Jack Smithit”, ka shkruar ai.
Grenell ka kërkuar gjithashtu ndërprerjen e financimit për gjykata të tilla, duke iu drejtuar Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe Todd Blanche.
“Të gjitha këtyre gjykatave duhet t’u ndërpritet menjëherë financimi. Departamenti i Drejtësisë dhe Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje politike dhe kjo duhet të ndalet”, ka shkruar Grenell.
Në fund, ai i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Albin Kurti gjithashtu duhet të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, ka përfunduar Grenell.


