Marine Le Pen rikthehet në skenën politike dhe shpall betejën e re për Presidencën

14 Sep 2026 11:46
Shpërndaje:

Marine Le Pen është rikthyer në skenën politike franceze pas një mungese gati njëmujore, duke konfirmuar ambicien për një tjetër betejë presidenciale dhe duke vendosur në qendër të fjalimit të saj koston e jetesës, strehimin dhe sigurinë.

Në bastionin e saj politik, Hénin-Beaumont, në veri të Francës, liderja e Rassemblement National u prit nga rreth 2 mijë mbështetës. Në tubim ishte i pranishëm edhe Jordan Bardella, i cili festoi 31-vjetorin mes militantëve të partisë, por nuk mbajti fjalim.

Le Pen i cilësoi zgjedhjet e ardhshme si një “betejë të re për Francën” dhe premtoi se do të angazhojë “të gjitha forcat” për të arritur fitoren.

Reklamë Ola

Duke sulmuar bilancin e presidentit Emmanuel Macron, ajo deklaroi se pas dhjetë vjetësh qeverisjeje “nuk jemi më te analiza, por te autopsia”. Kritika pati edhe për figurat e qendrës politike, Édouard Philippe dhe Gabriel Attal, të cilët i përshkroi si “klone” dhe “bashkëpunëtorë” të makronizmit.

Në planin ekonomik, Le Pen premtoi uljen e TVSH-së për energjinë nga 20 në 5.5 për qind, mbështetje për pronarët e banesave dhe masa më të ashpra kundër zaptimit të paligjshëm të pronave.

Reklamë InterMedika

Ajo riktheu gjithashtu parimin e “prioritetit kombëtar”, sipas të cilit shtetasit francezë duhet të kenë përparësi në sigurimin e banesave dhe në përfitimin e disa skemave sociale.

Rikthimi i Le Pen vjen në një periudhë kur ndikimi i Jordan Bardellës brenda partisë është rritur ndjeshëm. Megjithatë, dalja e tyre e përbashkët në përfundim të tubimit, duke kënduar himnin francez “La Marseillaise”, synoi të përcillte një mesazh uniteti mes dy figurave kryesore të së djathtës ekstreme franceze.