Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave dhe dhuratave për nxënësit fitues të olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij, Rama shprehu mirënjohje për rezultatet e arritura nga nxënësit, duke i cilësuar ata si shembuj frymëzimi për bashkëmoshatarët dhe të gjithë shoqërinë.
“Ja ku jeni këtu të gjithë për t’ju thënë disa fjalë mirënjohjeje, respekti dhe vlerësimi. Pastaj, për t’ju dhënë jo vetëm një certifikatë, por edhe një dhuratë, sepse nuk ka kuptim të largoheni vetëm me një certifikatë”, tha kryeministri.
Rama u ndal edhe te rezultatet e testit PISA 2025, të cilat i cilësoi si fryt të një pune të gjatë dhe të vështirë për transformimin e sistemit arsimor.
Sipas tij, përmirësimi i arsimit ka kërkuar ndërhyrje në infrastrukturën shkollore, përmbajtjen e programeve mësimore dhe cilësinë e mësimdhënies.
“Testi PISA 2025, për mua personalisht, është një fryt shumë i shijshëm i një pune shumë të gjatë, jo të lehtë, me të përpjeta dhe të tatëpjeta, për të transformuar sistemin arsimor, infrastrukturën, përmbajtjen dhe cilësinë e mësimit në shkollë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se një pjesë e reformës është përqendruar te garantimi i sigurisë profesionale për mësuesit, punësimi i tyre mbi bazën e meritës dhe rritja e pagave.
Ai përmendi gjithashtu trajnimet e vazhdueshme për mësuesit dhe krijimin e Shkollës së Drejtorëve, ku drejtuesit e institucioneve arsimore trajnohen dhe certifikohen përpara ushtrimit të detyrës.
Sipas Ramës, rezultatet e arritura janë fillimisht meritë e nxënësve, por ndikohen edhe nga mjedisi arsimor dhe mbështetja që ata marrin gjatë procesit të të nxënit.
“Nxënësit mund të jenë shumë të mirë, por nëse gjithçka rreth tyre nuk ua lehtëson përpjekjen, rezultatet nuk arrijnë domosdoshmërisht maksimumin e tyre”, u shpreh ai.
Kryeministri vlerësoi nxënësit që kanë fituar olimpiada ndërkombëtare, duke thënë se rezultatet e tyre tregojnë rritje të nivelit të të nxënit dhe përmirësim të mësimdhënies në shkollat shqiptare.
Ai tregoi se vëmendja e tij ishte tërhequr fillimisht nga rezultati i një nxënësi shqiptar në një olimpiadë botërore të matematikës, por më pas ishte informuar se kishte edhe nxënës të tjerë me arritje të rëndësishme.
“Nisa nga një nxënës që u bë i njohur për shkak të rezultatit në një olimpiadë botërore të matematikës. I thashë ministres të bënim diçka për këtë djalë dhe ajo më tha se kishte edhe të tjerë. Kjo është fantastike dhe një tregues i rëndësishëm i rritjes së nivelit të nxënies”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se nxënësit e pranishëm vinin nga shkolla, familje dhe zona të ndryshme të vendit. Ai vlerësoi veçanërisht ata që kanë arritur rezultate të larta pavarësisht vështirësive ekonomike apo problemeve familjare.
Sipas tij, këta nxënës dëshmojnë se pengesat mund të kapërcehen dhe se kushtet e vështira nuk duhet të kthehen në arsye për t’u dorëzuar.
“Edhe në këtë aspekt jeni të jashtëzakonshëm për forcën e shembullit tuaj. Ju tregoni se si duhet të mendojë e gjithë Shqipëria: pavarësisht vështirësive, duhet të guxojë të synojë dhe të ngjitet sa më lart”, deklaroi Rama.
Ai i cilësoi nxënësit si “heronj”, duke argumentuar se heroizëm nuk është vetëm sakrifica në luftë, por edhe aftësia për të kapërcyer pengesa që të tjerët në të njëjtat kushte mund të mos guxonin t’i përballonin.
Rama i paralajmëroi të rinjtë se suksesi mund të shoqërohet edhe me kritika, dyshime apo përpjekje për të zhvlerësuar arritjet e tyre. Duke iu referuar Faik Konicës, ai u kërkoi të mos ndikohen nga zërat që vënë në diskutim suksesin e tyre.
“Sa më shumë sukses të keni, aq më të fortë do të jenë zërat që do të përpiqen t’ju thonë se suksesi juaj nuk është i vërtetë ose se vlerësimi është i pamerituar. Mos i dëgjoni”, tha kryeministri.
Në përfundim, Rama u kërkoi nxënësve të vazhdojnë të besojnë te synimet e tyre, edhe gjatë momenteve kur mund të përballen me humbje, zhgënjime apo vështirësi personale.
“Besojini symbyllur ëndrrës që shikoni me sy hapur. Jo gjithmonë gjërat do të shkojnë mirë. Do të keni momente të vështira dhe raste kur një fitore do t’ju rrëshqasë nga duart, por gjithçka varet nga forca juaj për të vazhduar”, deklaroi ai.
“Mos u dorëzoni kurrë dhe mos e tradhtoni ëndrrën që keni”, përfundoi Rama.


