Eksportet e grurit ukrainas bllokohen, rrezik për rritjen e çmimeve globale të ushqimeve

16 Aug 2026 13:07
Shpërndaje:

Eksportet e grurit të Ukrainës po përballen me pengesa serioze për shkak të sulmeve ruse në Detin e Zi, nivelit të ulët të Danubit dhe kundërshtimeve të vendeve të Europës Lindore për kalimin e sasive të mëdha të produkteve bujqësore ukrainase.

Ministri ukrainas i Bujqësisë, Taras Vysotskyi, paralajmëroi se nëse situata vazhdon, çmimet globale të ushqimeve mund të rriten me të paktën 25 deri në 30%, duke sjellë pasoja të ngjashme me krizën ushqimore të vitit 2022.

Ukraina, një prej prodhuesve më të mëdhenj të drithërave në botë, transporton normalisht mbi 90% të eksporteve të saj bujqësore nëpërmjet detit. Por intensifikimi i sulmeve ruse dhe ukrainase ndaj porteve dhe transportit detar në Detin e Zi ka goditur rëndë këtë rrugë tregtare.

Reklamë Ola

Në nëntë ditët e para të gushtit, Ukraina eksportoi vetëm 463 mijë tonë drithëra, rreth një të tretën e ritmit të zakonshëm. Autoritetet ukrainase paralajmërojnë se deri në nëntor, kur të mbërrijë prodhimi i ri, vendi mund të përballet edhe me mungesë të hapësirave për magazinimin e grurit që nuk arrin të eksportojë.

Situata është përkeqësuar pas një sulmi rus me raketë ndaj një anijeje që transportonte misër nga një port ukrainas në korrik, ku humbën jetën 10 persona. Anija u fundos një javë më vonë, ndërsa që prej sulmit asnjë anije për transportin e drithërave nuk ka hyrë në portet pranë Odesës.

Reklamë InterMedika

“Pronarët e anijeve dhe ekuipazhet kanë frikë. Nuk janë të gatshëm t’i dërgojnë fare anijet”, deklaroi Vysotskyi.

Përballë bllokimit të rrugës detare, Kievi po negocion me Rumaninë, Poloninë, Hungarinë, Sllovakinë dhe Moldavinë për të transportuar më shumë drithëra në rrugë tokësore.

Megjithatë, kjo alternativë është shumë më e kushtueshme. Transporti me hekurudhë dhe rrugë kushton 50 deri në 70 dollarë më shumë për ton, një kosto që sipas ministrit ukrainas nuk mund të përballohet me çmimet aktuale të grurit.

Edhe rruga përmes Rumanisë po has vështirësi. Nivelet e ulëta të Danubit kanë kufizuar sasinë e mallrave që mund të transportohen drejt portit të Konstancës në Detin e Zi.

Një tjetër pengesë është kundërshtimi i fermerëve në vendet fqinje të BE-së. Në vitet 2023 dhe 2024, fermerët polakë organizuan protesta dhe bllokuan pikat kufitare, duke argumentuar se gruri ukrainas që duhej vetëm të kalonte tranzit përfundonte në tregun vendas dhe ulte çmimet.

Polonia vendosi në vitin 2023 ndalimin e importeve të grurit ukrainas, ndërsa masa të ngjashme u morën edhe nga Hungaria dhe Sllovakia.

Varshava ka bërë të qartë se embargoja do të vazhdojë. Ministri polak i Bujqësisë, Stefan Krajewski, deklaroi se qeveria po bën gjithçka për ta mbajtur atë në fuqi.

Megjithatë, Polonia është shprehur e gatshme të lehtësojë tranzitin e grurit ukrainas drejt vendeve të treta. Ministria e Jashtme polake ka theksuar se bisedimet me Kievin kanë të bëjnë vetëm me transportimin e produkteve përmes territorit polak dhe jo me shitjen e tyre në tregun vendas.

Fermerët polakë mbeten skeptikë. Përfaqësues të tyre pretendojnë se në të kaluarën një pjesë e grurit të regjistruar si tranzit drejt vendeve të tjera ka përfunduar në Poloni, pretendime që qeveria polake i ka mohuar.

Ndërkohë, Ukraina i ka kërkuar Komisionit Europian 220 milionë euro ndihmë për fermerët. Fondet synohen të përdoren për subvencionimin e kredive, në mënyrë që fermat e vogla dhe të mesme të mund të magazinojnë prodhimin derisa eksportet të normalizohen, në vend që ta shesin atë me humbje.

Komisioni Europian ka konfirmuar marrjen e kërkesës, por ende nuk ka bërë të ditur nëse do ta miratojë financimin.