×
Sunday, July 26, 2026

Ferit Hoxha: BE duhet të mbajë premtimet, procesi i zgjerimit funksionon vetëm nëse meritat vlerësohen nga të dyja palët

July 25, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se besueshmëria e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian varet jo vetëm nga reformat që ndërmarrin vendet kandidate, por edhe nga gatishmëria e BE-së për të respektuar angazhimet e saj ndaj atyre vendeve që përmbushin kushtet.

Në një intervistë për RTL Today, Hoxha tha se Shqipëria ka bërë përparim të shpejtë në negociatat e anëtarësimit, duke hapur të gjashtë grup-kapitujt brenda 13 muajve dhe duke kaluar me sukses vlerësimin e ndërmjetëm për grup-kapitullin “Themeloret”.

“Duke pritur, ne nuk u mjaftuam duke parë yjet. Ne punuam. Vumë ekipet tona në punë. U përgatitëm”, u shpreh ministri, duke theksuar se avancimi i Shqipërisë është rezultat i reformave dhe punës së vazhdueshme.

Megjithatë, Hoxha pranoi se vendi ka ende sfida të rëndësishme përpara, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, funksionimin e sistemit të drejtësisë, garantimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Negociatat kanë të bëjnë me hendekun – ku jemi sot, ku duhet të arrijmë dhe si do ta mbyllim atë”, tha ai.

Ministri nënvizoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, por ky parim, sipas tij, duhet të zbatohet njësoj si për vendet kandidate, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

“Procesi i bazuar në meritë duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Ne marrim angazhime dhe bëjmë reformat, por Bashkimi Evropian duhet të mbajë edhe ai pjesën e vet të marrëveshjes”, deklaroi Hoxha.

Ai paralajmëroi se çdo vonesë e pajustifikuar në procesin e anëtarësimit mund të dëmtojë besimin e qytetarëve dhe të dobësojë mbështetjen për reformat.

“Një vend kandidat që përmbush kushtet duhet të lejohet të ecë përpara. Mos humbni asnjë çast, asnjë minutë, asnjë orë. Punoni, punoni, punoni”, ishte mesazhi i tij drejtuar administratës shqiptare.

Hoxha u shpreh gjithashtu në favor të integrimit gradual të vendeve kandidate në strukturat e Bashkimit Evropian edhe përpara anëtarësimit të plotë.

Ai theksoi se Shqipëria është tashmë plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke argumentuar se kjo duhet t’i japë mundësinë vendit të marrë pjesë si vëzhgues në diskutimet evropiane.

“Gjithçka që diskutojnë ata bëhet edhe e jona. Atëherë pse të mos jemi të pranishëm si vëzhgues? Nuk mund të votojmë, por mund të shkëmbejmë mendime, të mësojmë dhe të përgatitemi”, tha ministri.

Duke folur për orientimin strategjik të Shqipërisë, Hoxha theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian është një zgjedhje e qartë dhe e pandashme.

“Kur bën një zgjedhje, siç kemi bërë ne për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, nuk është si një meny. Ne marrim të gjithë paketën”, deklaroi ai.

Në përfundim të intervistës, ministri e cilësoi integrimin evropian si objektivin më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë.

“Për ne është vijë jetike. Është vendimtare. Është i vetmi projekt. Ky është e ardhmja jonë”, u shpreh Ferit Hoxha.




Comments are closed.