×
Sunday, July 26, 2026

Shqipëria merr vlerësime në UNESCO për Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën

July 25, 2026


Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s zhvilloi javën e kaluar sesionin e 48-të në Busan të Koresë së Jugut, ku mbi 3 mijë delegatë dhe ekspertë nga 196 shtete palë të Konventës së Trashëgimisë Botërore diskutuan mbi politikat dhe masat për mbrojtjen e pasurive kulturore dhe natyrore me Vlerë Universale të Jashtëzakonshme.

Gjatë punimeve, Komiteti miratoi zgjerimin e zonave të sheshta të baticës dhe zbaticës në Korenë e Jugut, një vendim që synon të forcojë mbrojtjen e shpendëve shtegtarë dhe të ekosistemeve detare të rrezikuara.

Po ashtu, u miratua me procedurë emergjente përfshirja në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik e sitit arkeologjik të Sebastia-s në Bregun Perëndimor dhe e pesë fortesave në rajonin Jabal Amel të Libanit jugor, për shkak të kërcënimeve që vijnë nga konfliktet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Vendimi u përshëndet nga autoritetet palestineze si një arritje kombëtare, ndërsa Izraeli e kundërshtoi ashpër, duke e cilësuar atë si një përdorim politik të trashëgimisë kulturore.

Në sesion mori pjesë edhe delegacioni shqiptar, i cili prezantoi progresin e bërë në mbrojtjen dhe menaxhimin e pasurive të trashëgimisë botërore në vend.

Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, bëri të ditur se Shqipëria mori vlerësime për dokumentet e reja teknike dhe strategjike të hartuar për Parkun Kombëtar të Butrintit, si dhe për masat e ndërmarra për forcimin e bashkëpunimit me komunitetin lokal.

“Vlerësim mori edhe puna për Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, ku u njoh progresi në avancimin e Planit të Integruar të Menaxhimit, forcimin e koordinimit institucional dhe ndërmarrjen e masave për ruajtjen afatgjatë të këtyre pasurive me rëndësi të jashtëzakonshme”, u shpreh Lira Pipa.

Delegacioni shqiptar prezantoi gjithashtu masat për mbrojtjen e pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit, duke përfshirë edhe shpalljen e Gadishullit të Linit si Ansambël Arkitektonik Urban, një hap që synon forcimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore të zonës.

Sipas autoriteteve shqiptare, pjesëmarrja në sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore forcon bashkëpunimin me UNESCO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, duke mbështetur përpjekjet për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pasurive kulturore dhe natyrore të Shqipërisë.




Comments are closed.