Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka shtuar ekipin e specialistëve të certifikuar për përdorimin e poligrafit, pasi dy ekspertë të rinj kanë përfunduar me sukses trajnimin e specializuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Trajnimi u zhvillua me mbështetjen e Programit ICITAP të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byrosë Ndërkombëtare për Luftën kundër Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL) të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Dy specialistët përfunduan një kurs intensiv 10-javor në Akademinë Ndërkombëtare të Poligrafit në Fort Lauderdale, Florida, ku u trajnuan në metodologjinë bazë të përdorimit të poligrafit dhe në teknikat e vlerësimit të besueshmërisë.
Sipas AMP-së, ekzaminuesit kanë kryer mbi 400 orë trajnim, duke përfshirë testimet shkencore, metodologjinë e intervistimit, vlerësimin e besueshmërisë dhe standardet etike të profesionit. Ata janë të certifikuar për të zhvilluar ekzaminime me poligraf si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në anglisht.
Trajnimi vjen në vazhdën e bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare me partnerët amerikanë, të cilët më herët trajnuan grupin e parë të ekspertëve të poligrafit. Këta specialistë u angazhuan në procesin e testimit të kandidatëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) gjatë dy proceseve të mëparshme të rekrutimit.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, aftësitë e reja të ekspertëve do të përdoren për verifikimin e integritetit të efektivëve dhe kandidatëve të ardhshëm të agjencive ligjzbatuese, duke forcuar proceset e kontrollit dhe rritur besueshmërinë e institucioneve shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ndërkombëtar.