Kryeministri Edi Rama deklaroi se fitorja e Partisë Socialiste me 83 mandate në zgjedhjet parlamentare ka qenë njëkohësisht një bekim dhe një mallkim, pasi i ka dhënë qeverisë forcën për të vijuar transformimin e vendit, por edhe ka rritur pritshmëritë e qytetarëve, të cilët tashmë e shohin mazhorancën si përgjegjëse për çdo problem që hasin.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, Rama tha se protesta që prej më shumë se 50 ditësh është zhvilluar para Kryeministrisë e ka shtyrë të reflektojë mbi marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarëve, si dhe mbi mënyrën se si perceptohen arritjet e qeverisë.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve i ka dhënë Partisë Socialiste një mandat të fortë për të vazhduar reformat dhe transformimin e vendit, por njëkohësisht ka bërë që çdo pakënaqësi apo problem të adresohet drejtpërdrejt te qeveria.
“Pas fitores së madhe që na dha 83 mandate, e kam thënë në disa takime me ju, ajo fitore sa është bekim, është edhe mallkim. Bekim, sepse na dha forcën për të vazhduar transformimin; mallkim, sepse jo vetëm se ata shohin shkakun e çdo gjëje që nuk shkon te ne, por edhe sepse fitoret e mëdha, si ajo e qershorit të shkuar, e kthejnë në mbipeshë të përjetuar keq çdo përplasje mes realitetit dhe pritshmërive të qytetarit”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria ndodhet tashmë në një fazë të re zhvillimi, ku qytetarët nuk e krahasojnë më vendin me të kaluarën, por me standardet e vendeve të Bashkimit Europian.
“Sot i bëjmë krahasimet me Europën e zhvilluar”, tha ai, duke nënvizuar se kjo rrit nivelin e pritshmërive dhe ul tolerancën e qytetarëve ndaj problematikave që vazhdojnë të ekzistojnë.
Rama e cilësoi këtë si një sfidë të re për qeverinë, duke theksuar se përballë një shoqërie me pritshmëri më të larta, nuk mjafton vetëm të evidentohen arritjet e deritanishme, por duhet të forcohet edhe besimi i qytetarëve përmes përmirësimit të përvojës së tyre me institucionet shtetërore.