×
Saturday, July 25, 2026

Iris Luarasi: Reforma territoriale e vitit 2014 solli rezultate konkrete, duhet përshtatur me realitetin e ri demografik

July 24, 2026


Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka mbrojtur reformën territoriale të vitit 2014, duke deklaruar se të dhënat tregojnë se ajo ka sjellë përmirësime në administrimin e pushtetit vendor dhe në menaxhimin e financave të bashkive.

E ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Luarasi tha se, ndonëse nuk është eksperte e reformës territoriale, materialet e shpërndara për deputetët e mazhorancës tregojnë rezultate konkrete.

“Unë nuk jam eksperte e reformës territoriale, por përmes materialit që na është shpërndarë si deputetë të mazhorancës, shifrat flasin. Midis viteve 2015 dhe 2025, shpenzimet janë rritur nga 2.5% në 3.2% të PBB-së. Nuk mund të thuhet se nuk ka pasur përmirësim”, u shpreh ajo.

Sipas Luarasit, një nga efektet kryesore të reformës ishte ulja e kostove administrative, pasi para vitit 2014, 373 njësi vendore shpenzonin rreth 60% të buxheteve të tyre vetëm për paga.

“Sot kemi 61 bashki dhe buxheti për paga ka rënë në mënyrë drastike. Nuk zë më pjesën më të madhe të buxheteve, siç ndodhte me 373 komunat para reformës territoriale”, deklaroi deputetja socialiste.

Ajo shtoi se gjatë kësaj periudhe janë ulur ndjeshëm edhe detyrimet financiare të bashkive.

“Detyrimet e bashkive kanë rënë me 76% gjatë këtyre dhjetë viteve. Janë shifra që tregojnë se reforma e vitit 2014 pati efekt dhe solli këto rezultate”, tha Luarasi.

Duke komentuar diskutimet për një reformë të re territoriale, deputetja tha se nevoja për rishikim lidhet me ndryshimet demografike të evidentuara nga Censusi i vitit 2023.

“Arsyeja pse po flitet për një reformë të re territoriale është se Censusi i vitit 2023 tregoi një realitet të ri demografik. Ka bashki ku popullsia është tkurrur ndjeshëm dhe duhet parë nëse ka kuptim të vazhdojnë të ekzistojnë me këtë strukturë”, u shpreh ajo.

Luarasi hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria është rasti i vetëm që po rishikon ndarjen territoriale, duke theksuar se vende si Letonia, Estonia dhe Holanda kanë ndërmarrë reforma të dyta territoriale pas rreth një dekade.

“Ekspertët janë konsultuar edhe me legjislacionin dhe praktikat e vendeve të tjera. Shqipëria nuk është një përjashtim”, përfundoi deputetja socialiste.




Comments are closed.