Faik Basha: Protesta po bëhet gjithnjë e më agresive, mungesa e drejtuesve e bën situatën të rrezikshme
Eksperti i sigurisë Faik Bashak ka deklaruar se protestat e zhvilluara së fundmi po marrin një karakter gjithnjë e më agresiv, duke shprehur shqetësimin për dhunën e regjistruar gjatë tubimit të së enjtes para Kuvendit.
Në një intervistë për emisionin “Tirana Live” në ABC News, Bashak u shpreh se në protestë kanë marrë pjesë edhe persona të maskuar, të cilët, sipas tij, synojnë të përshkallëzojnë situatën dhe të krijojnë destabilitet.
“Protesta ndryshon nga dita në natë. Në momente të caktuara ajo kthehet në një protestë agresive. Ka persona që maskohen dhe dhunojnë këdo që gjejnë përpara. Ata kërkojnë të shfrytëzojnë qytetarët që protestojnë për shqetësimet e tyre”, tha ai.
Sipas Bashakut, protesta përfshinte grupe të ndryshme, mes tyre qytetarë opozitarë, persona të maskuar dhe individë që, sipas tij, kërkonin përshkallëzimin e situatës.
Ai dënoi aktet e dhunës ndaj forcave të rendit dhe theksoi se sulmet ndaj policisë apo institucioneve shtetërore nuk duhet të tolerohen.
“Nuk duhet të lejojmë goditjet ndaj komisariateve apo punonjësve të policisë. Qëllimi i këtyre akteve duhet të hetohet me përparësi”, u shpreh eksperti.
Bashak ngriti shqetësimin edhe për mungesën e organizatorëve ose përfaqësuesve të protestës, duke e cilësuar këtë si elementin më problematik.
“Gjëja më e rrezikshme është se protesta nuk ka përfaqësues. Nuk ka përgjegjës dhe në çdo rast faji i hidhet policisë”, deklaroi ai.
Sipas ekspertit të sigurisë, protesta ka ndryshuar karakter me kalimin e kohës.
“Në ditët e para ajo përfshinte qytetarë që protestonin për shqetësimet e tyre, por më pas ata kuptuan se cili ishte thelbi dhe qëllimi i protestës. Kjo situatë po dëmton vendin”, tha Bashak.







