×
Thursday, July 23, 2026

Gjermania kritikon Trump për përjashtimin e Afrikës së Jugut nga samiti i G20

July 23, 2026


Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka kritikuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të përjashtuar Afrikën e Jugut nga samiti i ardhshëm i G20, duke e cilësuar këtë hap si të dëmshëm për bashkëpunimin ndërkombëtar.

Gjatë një takimi me studentë në Universitetin e Witwatersrand në Johanesburg, Wadephul e përshkroi Afrikën e Jugut si “një anëtare të pazëvendësueshme të G20”, duke theksuar rolin e saj të rëndësishëm ekonomik dhe politik në kontinentin afrikan.

“Përjashtimi i Afrikës së Jugut do të thotë të lësh mënjanë një zë të rëndësishëm të Afrikës dhe një fuqi rajonale ekonomike e politike. Sidomos në një periudhë pasigurie ekonomike globale, kemi nevojë për më shumë bashkëpunim, jo më pak”, deklaroi ministri gjerman.

Trump njoftoi në muajin nëntor, përmes një postimi në rrjetet sociale, se Afrika e Jugut nuk do të ftohej në samitin e ardhshëm të G20, i cili do të zhvillohet në Miami.

Edhe ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola, reagoi ashpër ndaj këtij vendimi gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun gjerman.

“Asnjë vend nuk mund të vendosë i vetëm të përjashtojë një anëtar themelues të G20”, tha Lamola, duke shtuar se vendet pjesëmarrëse duhet të diskutojnë nëse një forum mund të quhet ende G20 kur një nga anëtarët themelues përjashtohet.

Wadephul u shpreh gjithashtu në favor të forcimit të marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Afrikës së Jugut, pavarësisht dallimeve që dy vendet kanë mbi luftën në Ukrainë, konfliktin në Gaza dhe raportet me Kinën. Ai theksoi se mospajtimet nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin.

“Në disa çështje mund të biem dakord që nuk jemi dakord, por njëkohësisht të vazhdojmë të punojmë së bashku. E rëndësishme është që ndajmë të njëjtat parime ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Ministri gjerman tha se është optimist se përjashtimi i Afrikës së Jugut nuk do të jetë i përhershëm dhe se vendi do të rikthehet si anëtar i plotë i G20 vitin e ardhshëm.

Duke folur për sigurinë evropiane, Wadephul deklaroi se Rusia vazhdon të përbëjë një kërcënim ekzistencial për Evropën, duke përmendur raketat balistike Iskander të vendosura në Kaliningrad, të cilat, sipas tij, mund të arrijnë Berlinin brenda pak minutash.

Sa i përket Kinës, ai theksoi nevojën që Gjermania dhe Afrika e Jugut të bashkëpunojnë më ngushtë për të reduktuar varësinë nga zinxhirët e furnizimit dhe tregjet e dominuara nga një vend i vetëm.




Comments are closed.