Analisti Martin Leka e ka cilësuar dhunën e ushtruar gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit si pasojë të rënies së numrit të pjesëmarrësve, duke argumentuar se organizatorët po shfaqin nervozizëm për shkak të mungesës së mbështetjes.
I ftuar në emisionin “News Line”, Leka tha se protestat nuk kanë më pjesëmarrjen e mëparshme dhe se sipas tij, numri i protestuesve nuk i kalon më një mijë persona.
“Ndoshta është nervozizmi i numrit të protestuesve. Nuk ka më numrat e dikurshëm, madje ka numra simbolikë që nuk e kalojnë shifrën e 1000 personave dhe organizatorët e protestës nuk janë të kënaqur, ndaj shfaqin shenja nervozizmi”, u shpreh ai.
Leka dënoi aktet e dhunës ndaj forcave të policisë, duke i cilësuar të papranueshme në një shtet demokratik.
“Çdo akt dhune në protestë është i dënueshëm. Gjuajtja me gurë dhe sende të forta ndaj forcave të rendit është një akt që duhet dënuar nga të gjithë”, deklaroi analisti.
Sipas tij, përdorimi i dhunës është një tregues se protesta ka hyrë në fazën e saj përfundimtare.
“Dhuna është akti i fundit i një proteste dhe tregon edhe fundin e saj. Çdo akt dhune është si një medalje për Edi Ramën dhe pushtetin”, tha Leka.
Analisti shtoi se protesta ka ndryshuar edhe përbërjen e saj, duke pretenduar se tashmë dominohet nga grupe që, sipas tij, synojnë përshkallëzimin e situatës.
“Protesta ka pasur grupime të ndryshme, por tani ka mbetur vetëm grupimi anarkik, i cili kërkon pushtet me dhunë. Ata janë bërë si një sekt i dhunshëm dhe shumë prej personazheve që shohim në protestë kanë lidhje me Partinë Demokratike”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Leka kritikoi edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e akuzuar për qëndrim kontradiktor.
“Sali Berisha është politikani më hipokrit. Nga njëra anë kërkon mbylljen e Parlamentit, ndërsa nga ana tjetër nuk heq dorë nga mandati i deputetit. Përmes protestës kërkon të krijojë tension ndaj Kuvendit dhe mazhorancës, por kjo politikë nuk besohet më”, deklaroi analisti.