Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, njoftoi se do të zhvillojë nesër një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Filipine, ku në qendër të bisedimeve pritet të jenë lufta në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme.
Takimi do të zhvillohet në kuadër të mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
“Ky takim do të jetë i dobishëm në çdo rast. Është më mirë të bësh pyetje dhe të marrësh përgjigje”, deklaroi Lavrov, duke konfirmuar zhvillimin e takimit.
Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta. Irani aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore mbi Teheran për herë të parë që nga përshkallëzimi i fundit i konfliktit me Shtetet e Bashkuara, ndërsa në verilindje të kryeqytetit u raportuan shpërthime.
Mediat shtetërore iraniane njoftuan se mbrojtja ajrore u aktivizua në disa zona të Teheranit, një qytet me rreth 15 milionë banorë.
Pak më vonë, ushtria amerikane konfirmoi se kishte përfunduar një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Iran, duke shënuar natën e 11-të radhazi të operacioneve ajrore.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), objektivat e goditura përfshinin qendra operacionesh ushtarake, kapacitete detare, hangarë avionësh, depo dronësh dhe infrastrukturë logjistike ushtarake.
Sipas ushtrisë amerikane, qëllimi i operacionit ishte dobësimi i mëtejshëm i aftësisë së Iranit për të kërcënuar anijet tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin global të energjisë.