×
Tuesday, July 21, 2026

Rubio: Vizita e Xi Jinping në SHBA pritet të zhvillohet në shtator, përgatitjet po vazhdojnë

July 20, 2026


Përgatitjet për vizitën e planifikuar të presidentit kinez Xi Jinping në Shtetet e Bashkuara po vijojnë sipas planit, pavarësisht tensioneve të fundit mes Uashingtonit dhe Pekinit. Kështu deklaroi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke konfirmuar se administrata amerikane pret që vizita të zhvillohet në muajin shtator.

“Ne presim që vizita të zhvillohet në shtator”, u tha Rubio gazetarëve në Bazën e Përbashkët Andrews, përpara nisjes drejt Filipineve për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).

Sipas tij, autoritetet kineze po vazhdojnë të dërgojnë ekipe në SHBA për të përgatitur vizitën.

“Nuk kam dëgjuar asgjë që të tregojë të kundërtën. Nuk kam arsye të besoj se ata nuk do të vijnë”, deklaroi Rubio.

Komentet e sekretarit amerikan të Shtetit vijnë vetëm pak ditë pasi presidenti Donald Trump akuzoi Kinën për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020, të cilat ai i humbi përballë Joe Biden. Pekini i ka hedhur poshtë kategorikisht këto akuza.

Trump zhvilloi një vizitë në Pekin gjatë muajit maj, ku i përcolli Xi Jinping edhe ftesën për të vizituar Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator.

Rubio pranoi se mosmarrëveshjet mes dy fuqive janë të pashmangshme, por theksoi se SHBA-ja dhe Kina kanë përgjegjësinë të ruajnë dialogun dhe marrëdhëniet në interes të qytetarëve të tyre dhe të stabilitetit ndërkombëtar.

Një mundësi për kontakte mes zyrtarëve të dy vendeve mund të krijohet që të martën, gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të ASEAN-it në Manila, ku pritet të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi.

Sipas raportimeve, në samit do të jetë i pranishëm edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

I pyetur nëse planifikon takime dypalëshe me homologët e tij gjatë samitit, Rubio nuk konfirmoi ndonjë takim konkret, por theksoi se Uashingtoni mbetet i hapur për dialog.

“Ne do të ishim të gatshëm të takoheshim me ta, pa dyshim”, u shpreh ai.




Comments are closed.