×
Friday, July 17, 2026

Mazniku: Reforma territoriale do të ulë numrin e bashkive, synohen 40-50 njësi vendore

July 16, 2026


Mazhoranca socialiste nuk heq dorë nga reforma territoriale dhe synon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri, edhe nëse kjo çështje rrezikon të vështirësojë arritjen e një konsensusi politik me opozitën, siç është kërkuar nga Bashkimi Evropian.

Në një intervistë për A2 CNN, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, bëri të ditur se mazhoranca po përgatit një projekt që parashikon ndarjen e vendit në 40 deri në 50 bashki.

Mazniku theksoi se, ndonëse Bashkimi Evropian ka rekomanduar që reforma të miratohet me konsensus politik, vendimmarrja do të respektojë parimet demokratike.

“BE ka thënë se më e mira është konsensusi, por edhe në BE, edhe në Shqipëri funksionon demokracia”, u shpreh ai.

Sipas Maznikut, reduktimi i numrit të bashkive është i domosdoshëm për të rritur kapacitetet e qeverisjes vendore dhe për t’u dhënë më shumë kompetenca njësive administrative.

“Krijimi i një numri më të vogël bashkish sesa ai që kemi sot është parakusht për të pasur mundësi që bashkitë të kenë më shumë kompetenca. Disa bashki nuk kanë mundësi burimesh njerëzore, disa të tjera nuk kanë banorë, ndërsa disa nuk arrijnë të mbajnë veten financiarisht”, deklaroi Mazniku.

Përveç reduktimit të bashkive, reforma parashikon edhe krijimin e një niveli të ri qeverisjeje vendore. Sipas Maznikut, socialistët mbështesin modelin me katër rajone, ndërsa qarqet aktuale nuk do të preken në këtë fazë.

“Në këto momente, qarqet nuk preken. Katër rajonet janë zgjidhja më e përshtatshme”, tha ai.

Mazniku sqaroi gjithashtu se reforma nuk do të prekë bashkitë me status minoritar, duke nënvizuar se kjo kategori njësish vendore do të mbetet e pandryshuar.

“Bashkitë minoritare nuk preken”, deklaroi ai.

Ndryshime të veçanta pritet të ketë edhe për Bashkinë e Tiranës. Sipas Maznikut, po shqyrtohet mundësia që kryeqyteti të ketë një status të veçantë për sa i përket funksioneve administrative, ndërsa një nga idetë është që territorit të saj t’i bashkëngjitet edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Mazhoranca shprehet se mbetet e hapur për bashkëpunim me Partinë Demokratike, nëse kjo e fundit vendos të përfshihet në proces. Megjithatë, socialistët kanë përgatitur edhe një alternativë për ta çuar përpara reformën pa u bllokuar nga procedurat e konsultimit publik, duke e paraqitur draftin si nismë ligjore në Kuvend.

“Duhet ta miratojmë ligjin në fund të muajit shtator ose në fillim të tetorit”, tha Mazniku.

Në seancën plenare të 23 korrikut pritet të prezantohet raporti i mazhorancës për reformën territoriale, ku do të bëhet publik edhe propozimi për numrin e ri të bashkive me të cilat vendi do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme lokale.




Comments are closed.