Partia e Le Pen distancohet nga mbështetja e Elon Musk: Vendosin francezët, jo të huajt
July 16, 2026
Partia më e madhe e së djathtës ekstreme në Francë, Tubimi Kombëtar (National Rally), është distancuar nga mbështetja publike e miliarderit amerikan Elon Musk, i cili e cilësoi kandidaten presidenciale Marine Le Pen si “shpresën e fundit të Francës”.
Pas deklaratës së Musk në platformën X, drejtues të partisë u përpoqën të minimizonin rëndësinë e këtij mbështetjeje, duke theksuar se zgjedhjet duhet të vendosen nga qytetarët francezë dhe jo nga figura të huaja.
Zëdhënësi i National Rally, Laurent Jacobelli, deklaroi për radion publike franceze se, edhe pse pajtohet me vlerësimin e Musk, partia nuk kërkon mbështetje nga jashtë vendit.
“Ajo që ka rëndësi nuk është opinioni i njerëzve jashtë Francës. Ajo që ka rëndësi është opinioni i popullit francez”, tha Jacobelli.
Edhe ndaj presidentit amerikan Donald Trump, National Rally ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, duke shmangur lidhjet e drejtpërdrejta politike pavarësisht afërsisë ideologjike.
Elon Musk ka ndërhyrë vazhdimisht në debatet politike evropiane gjatë viteve të fundit, duke mbështetur parti nacionaliste dhe të djathta ekstreme, përfshirë Alternativën për Gjermaninë (AfD) dhe aktivistin britanik të ekstremit të djathtë Tommy Robinson.
Megjithatë, lidhja e tij me Donald Trump, i cili mbetet një figurë jo popullore në Francë, si edhe polemikat që kanë shoqëruar Musk, përfshirë gjestin e tij të interpretuar nga kritikët si një përshëndetje naziste, kanë dëmtuar imazhin e tij në vend.
Eurodeputeti i National Rally, Thierry Mariani, minimizoi gjithashtu ndikimin e mbështetjes së Musk.
“Këto deklarata mbështetjeje kanë më shumë rëndësi për gazetarët sesa për votuesit. Ne nuk kemi kërkuar asgjë”, u shpreh ai.
Në të njëjtën linjë, eurodeputeti Fabrice Leggeri deklaroi se nuk ka arsye që partia të kërkojë partneritete me biznesmenë të huaj, veçanërisht jashtë Evropës.
Deklarata e Musk ka shkaktuar reagime edhe në qeverinë franceze, ku janë ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm të platformës X në fushatën presidenciale.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze, Pascal Confavreux, tha se Musk ka të drejtë të shprehë opinionet e tij, por autoritetet duhet të garantojnë që algoritmet e platformës të mos favorizojnë asnjë kandidat.
“Elon Musk ka të drejtë të shprehet. Çështja është të sigurohemi që mjetet që ai kontrollon të mos shtrembërojnë debatin publik në Francë në favor të një kandidati”, deklaroi ai.
Edhe ish-komisioneri evropian Thierry Breton, i cili është përplasur më parë me Musk për rregullimin e rrjeteve sociale në Bashkimin Evropian, kërkoi që autoritetet të monitorojnë funksionimin e algoritmit të platformës X gjatë fushatës zgjedhore.
Nga ana tjetër, Fabrice Leggeri paralajmëroi se kundërshtarët politikë mund të përdorin deklaratat e Musk për të akuzuar padrejtësisht National Rally për manipulim të algoritmeve të rrjeteve sociale.
Zgjedhjet presidenciale në Francë pritet të zhvillohen në vitin 2027, ndërsa Marine Le Pen mbetet një nga kandidatet kryesore në garën për Pallatin Élysée.