Partia e presidentit francez Emmanuel Macron, Renaissance, ka ngritur një padi kundër kandidates së ekstremit të djathtë për zgjedhjet presidenciale, Marine Le Pen, duke e akuzuar për përdorimin e paautorizuar të emrit dhe identitetit të saj politik në sloganin e fushatës elektorale.
Në një deklaratë zyrtare, partia e Macron theksoi se slogani i Le Pen, “Për Francën, Rilindja” (“Pour la France, la Renaissance”), përbën një “përvetësim të paautorizuar të identitetit politik dhe markës” së formacionit politik të krijuar nga presidenti francez.
Sipas Renaissance, emri i partisë është përdorur që prej vitit 2019 në Francë dhe në nivel europian dhe nuk mund të shfrytëzohet për të krijuar konfuzion mes votuesve.
“Identiteti ynë ‘Renaissance’, që ka përcaktuar lëvizjen tonë politike në Francë dhe Europë që nga viti 2019, nuk mund të përvetësohet për qëllimin e vetëm të krijimit të konfuzionit te zgjedhësit”, thuhet në reagimin e partisë.
Marine Le Pen shpalli zyrtarisht kandidaturën e saj për zgjedhjet presidenciale javën e kaluar, pasi një gjykatë i hapi rrugën kandidimit, pavarësisht se ishte shpallur fajtore për përvetësim fondesh të Parlamentit Europian. Le Pen i mohon akuzat dhe e ka apeluar vendimin në gjykatën më të lartë të Francës.
Gjatë prezantimit të fushatës së saj, liderja e Tubimit Kombëtar prezantoi edhe posterin dhe faqen zyrtare të fushatës me sloganin e ri, që tashmë është bërë objekt i mosmarrëveshjes ligjore.
Në krye të partisë Renaissance ndodhet ish-kryeministri Gabriel Attal, i cili gjithashtu ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Sipas sondazheve të fundit, Marine Le Pen kryeson bindshëm raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të zhvillohen më 18 prill 2027.
Partia e Macron argumenton se çështja nuk është vetëm ligjore, por lidhet edhe me mbrojtjen e identitetit politik të saj.
“Përtej aspektit ligjor, kjo cenon atë që ne përfaqësojmë. Renaissance mbron një vizion humanist, europian dhe republikan, të bazuar në shtetin e së drejtës, demokracinë dhe respektin për parimet tona të përbashkëta”, thuhet në deklaratë.
Nga ana e saj, Marine Le Pen mohoi çdo lidhje me partinë e Macron, duke deklaruar se slogani është zgjedhur për të pasqyruar objektivin e saj politik.
“Kuptimi i fushatës sime është të punoj për rilindjen e Francës dhe të institucioneve të saj”, u shpreh Le Pen, duke hedhur poshtë akuzat për kopjim të identitetit të kundërshtarëve të saj politikë.