Komisioni Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nënshkruar zyrtarisht traktatin për statusin e Gjibraltarit, duke vendosur një regjim të ri kufitar që lehtëson lëvizjen mes territorit britanik dhe Spanjës pas Brexit.
Marrëveshja parashikon që banorët e Gjibraltarit të mund të hyjnë në Spanjë duke përdorur kartat e rezidencës, pa qenë e nevojshme të paraqesin pasaportën. Nga ana tjetër, qytetarët spanjollë do të kalojnë kufirin duke përdorur kartat e tyre të identitetit.
Ndërkohë, udhëtarët që hyjnë në Gjibraltar do t’i nënshtrohen kontrolleve të pasaportave si nga autoritetet britanike të territorit, ashtu edhe nga autoritetet spanjolle.
Komisioneri evropian për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale, Maroš Šefčovič, e cilësoi marrëveshjen një moment historik, duke theksuar se ajo do t’i japë fund pengesave për rreth 15 mijë persona që kalojnë çdo ditë kufirin mes Spanjës dhe Gjibraltarit.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në plotësimin e kuadrit të marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar pas Brexit.
“Ky është një hap historik që plotëson kuadrin e marrëdhënieve pas Brexit”, deklaroi Costa.
Sipas tij, marrëveshja do të kontribuojë në prosperitetin dhe stabilitetin e rajonit, duke garantuar njëkohësisht integritetin e hapësirës Shengen, tregut të përbashkët dhe bashkimit doganor të Bashkimit Evropian.