×
Wednesday, July 15, 2026

Macron dekoron Starmer me Legjionin e Nderit për kontributin në sigurinë e Evropës

July 14, 2026


Presidenti francez Emmanuel Macron i ka akorduar kryeministrit britanik Keir Starmer dekoratën Légion d’honneur (Legjioni i Nderit), një nga vlerësimet më të larta të Francës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në forcimin e sigurisë evropiane.

Dekorimi u zhvillua të martën në Paris, gjatë takimit të radhës të Koalicionit të Vullnetmirëve, një nismë e udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar që synon të mbështesë Ukrainën dhe të krijojë kushtet për një armëpushim.

Gjatë ceremonisë, Macron vlerësoi rolin e Starmer në krijimin e koalicionit, duke e cilësuar atë si historik.

“Ju keni luajtur një rol historik në krijimin e këtij koalicioni. Ju falënderoj për udhëheqjen tuaj personale dhe për angazhimet që keni marrë për sigurinë e Evropës, të Ukrainës dhe për marrëdhëniet dypalëshe”, u shpreh presidenti francez.

Macron shtoi se Starmer ka dëshmuar cilësi të rëndësishme njerëzore dhe politike.

“Tek ju kemi gjetur një partner shumë të besueshëm dhe miqësor”, tha ai.

Starmer mbërriti në Paris të hënën për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës, një nga angazhimet e tij të fundit ndërkombëtare si kryeministër, përpara largimit nga detyra.

Gjatë mandatit të tij, ai është vlerësuar për përpjekjet për të rindërtuar marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me vendet evropiane, veçanërisht Francën dhe Gjermaninë, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

Keir Starmer bëhet kryeministri i parë britanik që nderohet me Legjionin e Nderit. I vetmi lider tjetër britanik që ka marrë një dekoratë nga shteti francez është Winston Churchill, i cili u nderua me Grand-Croix de la Légion d’honneur për udhëheqjen e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.




Comments are closed.