×
Wednesday, July 15, 2026

Marta Kos: Shqipëria bëri një hap të madh drejt BE-së, reformat duhet të vazhdojnë

July 14, 2026


Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë si një moment të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të BE-së, duke e quajtur këtë ditë një “super të martë” për vendet aspirante.

Pas Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE në Bruksel, Kos u shpreh se Shqipëria ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit.

“Është një moment i madh për Shqipërinë, është një ‘super e martë’ për zgjerimin dhe Shqipëria është pjesë e saj. I mbyllëm tre kapitujt, ndërsa kanë mbetur edhe 30 të tjerë. Këto janë fusha ku Shqipëria tashmë është pjesë e familjes evropiane. Urime të gjithë miqve tanë shqiptarë”, deklaroi ajo.

Komisionerja theksoi se ky progres u bë i mundur pasi Shqipëria përmbushi muajin e kaluar piketat e ndërmjetme për sundimin e ligjit (IBAR), por nënvizoi se reformat duhet të vijojnë.

“Ky është një hap i ndërmjetëm, që do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë të thellohen. Ne inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë progresin në sistemin e drejtësisë, si dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Kos.

Ajo vlerësoi gjithashtu mbështetjen e lartë të qytetarëve shqiptarë për integrimin evropian, duke cituar të dhëna sipas të cilave 92% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE, 84% besojnë se integrimi do t’u sjellë përfitime, ndërsa 90% shprehin besim ndaj Bashkimit Evropian.

“Në fund, është në duart tuaja të jepni rezultate për qytetarët shqiptarë, përmes reformave që kanë më shumë rëndësi për ta. Unë do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim”, përfundoi komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.




Comments are closed.