×
Wednesday, July 15, 2026

Rama: Projekti po ecën sipas rregullave të BE-së, do të jetë krenari për Shqipërinë dhe Evropën

July 14, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se çdo projekt strategjik që po zhvillohet në Shqipëri do të respektojë plotësisht standardet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se nuk ka arsye për shqetësim sa i përket procedurave dhe ndikimit në mjedis.

Duke folur për procesin e vlerësimit të projektit, Rama tha se institucioni të cilit i beson më shumë është Komisioni Evropian, pasi ai mbështetet në fakte, të dhëna dhe burime të verifikuara.

“Nga vitet e gjata në detyrë kam mësuar që kur thua Bruksel, ka shumë organizma. Për ne, të gjithë zërat në Bruksel janë të respektueshëm, por ka një fjalë që e marrim shumë seriozisht dhe ai është zëri i Komisionit Evropian. Komisioni mbetet institucioni që mban fort objektivitetin dhe punon bazuar në të dhëna, fakte dhe burime të verifikuara”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se projekti nuk është ende i finalizuar dhe se procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis vijon sipas rregullave.

“Projekti nuk është askund, nuk mund të shihet askund sepse nuk është finalizuar. Vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces dhe gjithçka po bëhet sipas rregullave që nga dita e parë”, tha ai.

Rama hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria mund të ecë përpara me një projekt që nuk respekton standardet evropiane.

“Ka vetëm një libër rregullash që vlen për ne, ai i standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ideja se Shqipëria do të vazhdonte me diçka që nuk është në përputhje të plotë me këto standarde është krejtësisht e pabazë”, deklaroi kryeministri.

Në përfundim, Rama u shpreh i bindur se projekti do të jetë një model suksesi.

“Ne do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë dhe Evropën. Do të jemi rigorozë për të kërkuar standardet më të larta dhe për të realizuar diçka që do t’i bëjë të gjithë krenarë”, përfundoi ai.




Comments are closed.