×
Wednesday, July 15, 2026

BE dënon deklaratën e ministres serbe: Nuk ka vend për retorikë që promovon spastrimin etnik

July 14, 2026


Bashkimi Evropian ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Duke folur për gazetarët në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, theksoi se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me vlerat themelore të Bashkimit Evropian.

“Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik. Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, u shpreh Hipper.

Ajo nënvizoi se deklarata të tilla bien gjithashtu në kundërshtim me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, proces që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, shtoi zëdhënësja e Komisionit Evropian.

Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime të forta edhe në Shqipëri dhe Kosovë, ku është cilësuar si fyese për viktimat e luftës, e papranueshme dhe në kundërshtim me përpjekjet për pajtim, dialog dhe stabilitet në rajon.




Comments are closed.