×
Wednesday, July 15, 2026

Latifi: Fashizmi digjital po zbraz demokracinë nga kuptimi i saj

July 14, 2026


Profesori i filozofisë nga Kosova, Blerim Latifi, ka reaguar lidhur me klimën e debatit publik dhe protestat në Tiranë, duke paralajmëruar për atë që e cilëson si shfaqje të një forme të re të fashizmit në hapësirën digjitale.

Në një postim në Facebook, Latifi krahason metodat e fashizmit dhe nazizmit historik me mënyrën se si, sipas tij, zhvillohet sot dhuna politike në rrjetet sociale.

Sipas profesorit, nëse dikur kundërshtarët politikë sulmoheshin fizikisht nga grupet e organizuara, sot kjo dhunë është zhvendosur në internet.

“Shkopinjtë e dhunës fizike në rrugë janë zëvendësuar nga ‘shkopinjtë’ e rrugëve të rrjeteve sociale. Në hapësirën online, 24 orë pa ndërprerje, veprojnë skuadra digjitale që sulmojnë dhe përpiqen të delegjitimojnë kundërshtarët e liderëve dhe partive të tyre”, shkruan Latifi.

Ai argumenton se në vend të dhunës fizike, sot përdoren komentet fyese, linçimi publik dhe presioni i vazhdueshëm psikologjik ndaj atyre që shprehin mendime ndryshe.

“Ky është fashizmi i sotëm, fashizmi digjital, i cili e ka kthyer komunikimin publik në një arenë ku kundërshtari nuk trajtohet më si bartës i një ideje tjetër, por si armik që duhet sulmuar dhe nxjerrë jashtë skenës politike dhe sferës publike”, thekson ai.

Latifi paralajmëron se, nëse fashizmi historik çoi në shkatërrimin institucional të demokracisë, forma moderne e tij po dëmton vetë kulturën demokratike.

“Nëse fashizmi historik çoi në shkatërrimin institucional të demokracisë, fashizmi digjital po e zbraz demokracinë nga kuptimi i saj etik dhe politik”, shprehet profesori.

Në fund të reagimit të tij, ai citon filozofin dhe shkrimtarin italian Umberto Eco, duke theksuar se “fashisti më i keq është ai që nuk e di se është fashist”, ndërsa shton se shumë prej atyre që përhapin këtë kulturë të intolerancës e bëjnë pa qenë të vetëdijshëm për pasojat e saj.




Comments are closed.