Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do t’i bashkohet programit të Bashkimit Evropian prej 90 miliardë eurosh për mbështetjen e Ukrainës, duke theksuar se vendi i tij do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Kievit dhe aleatëve perëndimorë.
Në një postim nga Parisi, ku mori pjesë në takimin e fundit të Koalicionit të Vullnetmirëve, Starmer tha se iniciativa, e krijuar në fillim të vitit 2025, kishte një objektiv të qartë: mbështetjen e Ukrainës, forcimin e sigurisë evropiane dhe krijimin e kushteve për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Sot jam krenar që më shumë se 25 vende janë bashkuar pas këtij misioni. Së bashku kemi rritur mbështetjen ushtarake për Ukrainën, kemi forcuar sigurinë tonë kolektive dhe kemi ndërtuar një koalicion të gatshëm për të garantuar paqen sapo të arrihet një armëpushim”, u shpreh Starmer.
Kryeministri britanik njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të marrë pjesë në Skemën Evropiane të Huasë për Mbështetjen e Ukrainës, me vlerë 90 miliardë euro. Sipas tij, kjo do t’i mundësojë Ukrainës të sigurojë kapacitete të rëndësishme ushtarake, ndërsa njëkohësisht do të krijojë mundësi të reja për kompanitë britanike të industrisë së mbrojtjes, do të mbështesë vendet e punës me kualifikim të lartë dhe do të forcojë sigurinë kombëtare të Britanisë.
Starmer pranoi se aleatët janë përballur me sfida të shumta gjatë dy viteve të fundit, por theksoi se ato janë kapërcyer falë bashkëpunimit të ngushtë.
“Britania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, të rrisë presionin ndaj Rusisë dhe të qëndrojë krah për krah me aleatët tanë”, përfundoi ai.