Koçiu-Shehajt: Zgjedhjet janë në vitin 2029, po e përdorni protestën për fushatë
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu reagoi sot në rrjetet sociale duke publikuar një video të një deklarate të kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, lidhur me protestat.
Në video, dëgjohet Shehaj duke biseduar me një grup protestuesish, teksa shprehet se nëse kjo protestë ka rezultat, Edi Rama do të ikë dhe kjo është në dorën e protestuesve.
“Kjo protestë pati sukses sepse është spontane, nuk ka një dorë nga pas që ka eksperiencë dhe e përdor. Kjo është mundësia për ne”, tha Shehaj.
Në reagimin e saj, Koçiu shprehet se deklaratat e Shehajt tregojnë se protesta është përdorur për interesa politike.
Sipas Koçiut, deklaratat e kreut të Partisë Mundësia flasin për synimin e përfitimit politikisht nga protesta, ndërsa i kërkon Shehajt të zgjedhë mes rolit të një qytetari pjesëmarrës në protestë, apo atij të drejtuesit të një force politike.
“Nëse do të marrësh pjesë si qytetar në protestë, lëre protagonizmin. Zgjedhjet janë në vitin 2029 dhe do të kesh kohë për të bërë fushatë. Nëse sillesh si kryetar partie, atëherë merr mbështetësit e tu dhe dil në protestë, por mos na e shit njërën për tjetrën”, shprehet Koçiu.







