Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me ministren e Jashtme të Kanadasë, Anita Anand, në margjinat e Samitit të 36-të të NATO-s që po mbahet në Ankara.
Gjatë takimit, dy ministrat ranë dakord të forcojnë dialogun politik dhe të zgjerojnë bashkëpunimin dypalësh, me theks të veçantë te ekonomia dhe tregtia.
Hoxha veçoi nisjen e fluturimeve direkte mes Tiranës dhe Torontos, duke theksuar se ato do të forcojnë lidhjet dhe shkëmbimet mes qytetarëve të dy vendeve.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe iniciativa për krijimin e Bankës së Mbrojtjes, Sigurisë dhe Qëndrueshmërisë, një mekanizëm financiar shumëpalësh që synon mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë.
“Ne ramë dakord që krijimi i Bankës së Mbrojtjes, Sigurisë dhe Qëndrueshmërisë, që synon krijimin e një mekanizmi financiar shumëpalësh për të mbështetur zhvillimin e aftësive të mbrojtjes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë, do të japë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e objektivave tona të përbashkëta”, shkroi Hoxha në rrjetin social X.
Ministrat shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Evropë, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur për Ukrainën.