Shpërthime tronditin Damaskun gjatë vizitës historike të Macronit në Siri
Dy shpërthime tronditën të martën qendrën e Damaskut, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron zhvillonte një takim me homologun sirian Ahmad al-Sharaa, në vizitën e parë të një lideri të Evropës Perëndimore në Siri që nga ndryshimi i pushtetit në vend.
Sipas raportimeve, shpërthimet ndodhën pranë hotelit Four Seasons, ku delegacioni francez ishte akomoduar, ndërsa Macron ndodhej në pallatin presidencial për takimin me presidentin sirian. Zyra e presidentit francez konfirmoi se Macron është i sigurt dhe se vizita vazhdoi sipas programit.
Autoritetet siriane bënë të ditur se shpërthimet u shkaktuan nga dy mjete shpërthyese të vendosura pranë hotelit dhe në afërsi të pallatit presidencial. Sipas të dhënave paraprake, të paktën 18 persona, përfshirë katër efektivë policie, mbetën të plagosur, ndërsa nuk u raportuan viktima në momentet e para. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe hetimet vijojnë.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale treguan automjete të përfshira nga flakët, tym të dendur dhe forca të shumta sigurie që rrethuan zonën menjëherë pas shpërthimeve.
Macron mbërriti në Siri të hënën, në vizitën e parë të një kreu shteti të Bashkimit Evropian në vend pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad dhe marrjes së pushtetit nga presidenti Ahmad al-Sharaa. Vizita synon forcimin e marrëdhënieve diplomatike, mbështetjen për stabilizimin e Sirisë dhe diskutimin e mundësive për investime dhe rindërtimin e vendit pas viteve të konfliktit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, presidenti francez deklaroi se ndodhet në Siri për të riafirmuar angazhimin e Francës ndaj popullit sirian dhe për të mbështetur një Siri sovrane, të bashkuar dhe në paqe me fqinjët e saj.







