×
Saturday, July 4, 2026

Trump në 250-vjetorin e SHBA-së: Mund të jesh komunist ose patriot

July 4, 2026


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përdori fjalimin e mbajtur në prag të 250-vjetorit të Pavarësisë për të sulmuar ideologjinë komuniste dhe për ta paraqitur Amerikën si një komb të ndërtuar mbi besimin dhe patriotizmin.

Duke folur para mbështetësve të tij në Dakotën e Jugut, me Malin Rushmore në sfond, Trump deklaroi se amerikanët duhet të zgjedhin mes komunizmit dhe patriotizmit.

“Mund të jesh komunist ose mund të jesh patriot”, u shpreh ai, duke vijuar retorikën e tij kundër kundërshtarëve politikë të krahut të majtë.

Trump theksoi se të drejtat themelore të amerikanëve burojnë nga Zoti dhe nuk mund të cenohen.

“Të drejtat tona këtu na janë dhënë nga Zoti që na krijoi dhe këto të drejta nuk do të shkelen”, deklaroi presidenti amerikan.

Ai shtoi se asnjë vend tjetër nuk ka kontribuar më shumë për botën sesa Shtetet e Bashkuara dhe theksoi se anglishtja është gjuha e Etërve Themelues të vendit.

Fjalimi u mbajt në Malin Rushmore, ku ndodhet monumenti me portretet e katër presidentëve amerikanë: George Washington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln. Trump kishte zgjedhur të njëjtin vend edhe në vitin 2020 për një tjetër fjalim me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e pavarësisë me ceremoni, parada, koncerte dhe shfaqje fishekzjarresh në mbarë vendin. Në Uashington janë planifikuar fluturime demonstrative të avionëve ushtarakë, përfshirë edhe Air Force One, ndërsa temperaturat e larta kanë detyruar organizatorët të anulojnë disa aktivitete.

Në fund të fjalës së tij, Trump bëri shaka me vapën që ka përfshirë kryeqytetin amerikan, duke thënë se do të mbante “një fjalim vërtet të gjatë vetëm për të treguar se mund ta bëjë”.




Comments are closed.