×
Saturday, July 4, 2026

Balla: Organizatorët e protestës janë persona me precedentë penalë, së shpejti zbardhet kush urdhëroi dhunën

July 3, 2026


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se organizatorët e protestës janë kryesisht persona me probleme me ligjin, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt do të bëhen publike përgjegjësit për dhunën e ushtruar ndaj Kuvendit dhe Policisë së Shtetit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla u shpreh se protesta është uzurpuar nga individë me precedentë penalë, ndërsa theksoi se mes protestuesve ka edhe qytetarë që kanë dalë për shqetësime të ligjshme.

“Kush janë ‘uzurpatorët’ e protestës?! Si ka mundësi që ‘uzurpatorët’ po dalin një nga një njerëz me probleme me ligjin?! Mes tyre persona me dënime për krime të rënda, trafiqe, grabitje, të tjerë me identitet të fshehur, deri tek ithtarë të një vendi armik me Shqipërinë. Kush e urdhëroi dhunën kundër Kuvendit dhe Policisë së Shtetit? Edhe pak ditë e gjitha do të zbardhet”, shkroi Balla.

Ai shtoi se qeveria është e gatshme të dialogojë me qytetarët që kanë kërkesa dhe shqetësime legjitime.

“Po vjen natyrshëm koha e dialogut me ata që kishin arsyet e tyre legjitime për të protestuar. Që nga shqetësimet për natyrën deri te zemërimi ndaj atyre që shpërdorojnë besimin mbi karrigen e pushtetit, dëgjimin dhe reflektimin tonë”, përfundoi Balla.




Comments are closed.