Kosova prezanton në Paris vizionin për Lojërat Mesdhetare 2030
Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, prezantoi në Paris vizionin e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, gjatë konferencës RIGES 2026, duke e cilësuar këtë projektin më të madh zhvillimor në historinë e sportit kosovar.
Gashani theksoi se Lojërat Mesdhetare nuk do të jenë vetëm një aktivitet sportiv, por një nxitës i investimeve strategjike, zhvillimit të infrastrukturës moderne, fuqizimit të të rinjve, rritjes ekonomike dhe diplomacisë sportive.
Sipas tij, organizimi i kësaj ngjarjeje do ta vendosë Kosovën në hartën e organizatorëve të eventeve të mëdha ndërkombëtare dhe do të dëshmojë se vendi është i gatshëm të përmbushë standardet më të larta organizative.
“Mesazhi ynë është i qartë: Kosova është e hapur për partneritete, ekspertizë, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Suksesi i Lojërave Mesdhetare do të ndërtohet mbi besimin, miqësinë dhe bashkëpunimin me partnerët tanë”, u shpreh Gashani.
Ai shtoi se rrugëtimi drejt vitit 2030 ka nisur tashmë, duke e cilësuar këtë fillimin e një epoke të re për sportin, rininë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Lojërat Mesdhetare 2030 kanë filluar. Tani është koha të ndërtojmë së bashku trashëgiminë që do t’u mbetet brezave”, përfundoi ministri në detyrë.







