Gonxhja: Me statusin e ri, forcohet mbrojtja e vlerave historike të Dhërmiut
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se vendimi i Këshillit të Ministrave për shpalljen e qendrës historike të Dhërmiut si pasuri kulturore e paluajtshme forcon mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore të kësaj zone.
Sipas Gonxhjes, Dhërmiu gëzon statusin e qendrës historike që prej vitit 2016 dhe akti i ri nuk ndryshon kufijtë e saj apo të zonës mbrojtëse, por përditëson kuadrin ligjor për administrimin dhe konservimin e saj.
“Me statusin Qendër Historike që prej vitit 2016, Dhërmiu vijon të ruajë identitetin e tij unik përmes një kuadri të përditësuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Akti i miratuar nuk ndryshon kufijtë e Qendrës Historike apo të zonës mbrojtëse, por përditëson rregullat dhe procedurat për administrimin dhe konservimin e saj, duke siguruar që zhvillimi i zonës të ecë në harmoni me ruajtjen e arkitekturës tradicionale, peizazhit dhe trashëgimisë kulturore, elemente këto që e bëjnë Dhërmiun një nga destinacionet më të veçanta të vendit”, u shpreh ministri.
Këshilli i Ministrave miratoi një ditë më parë vendimin për shpalljen e qendrës historike të fshatit Dhërmi pasuri kulturore të paluajtshme, si dhe përcaktoi zonën mbrojtëse në bazë të hartave të zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare.
Vendimi parashikon gjithashtu një plan për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e qendrës historike dhe zonës përreth, me synim garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.
Po ashtu, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor është ngarkuar me publikimin e hartave në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të kryejë regjistrimin e vendimit sipas legjislacionit në fuqi.







