×
Saturday, June 27, 2026

BE përgatitet për një përplasje tregtare me Kinën mes rritjes së importeve dhe presionit mbi industrinë europiane

June 27, 2026


Bashkimi Evropian po përgatitet për një qasje më të ashpër ndaj Kinës, ndërsa rritja e importeve kineze dhe dobësimi i industrisë evropiane po shtojnë presionin për vendosjen e masave të reja mbrojtëse tregtare.

Sipas analizave të publikuara nga The Economist, pyetja nuk është më nëse BE-ja do të forcojë mbrojtjen e tregut të saj, por sa larg është e gatshme të shkojë dhe si do të përballojë pasojat e një përplasjeje me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Shenjat e vështirësive ekonomike në Evropë janë gjithnjë e më të dukshme. Falimentimet e bizneseve kanë arritur nivelin më të lartë që nga viti 2015, ndërsa vetëm Gjermania humbi rreth 143 mijë vende pune në sektorin industrial gjatë vitit 2025. Rritja ekonomike mbetet e dobët dhe prodhimi industrial vazhdon të tkurret në pjesën më të madhe të kontinentit.

Një nga shqetësimet kryesore është zgjerimi i deficitit tregtar me Kinën. Në vitin 2025, BE regjistroi një deficit në tregtinë e mallrave me Kinën prej rreth 1 miliard euro në ditë, gati dyfishi i nivelit para pandemisë. Gjermania është ndër vendet më të prekura, me importe në rritje nga Kina dhe eksporte në rënie drejt tregut kinez.

Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), kompanitë kineze kanë përfituar gjatë viteve 2005–2024 subvencione tre deri në tetë herë më të larta se rivalët e tyre në vendet e OECD-së. Rreth 32% e kompanive industriale kineze operojnë me humbje, duke ushqyer debatet se shumë prej tyre mbijetojnë falë mbështetjes shtetërore.

Megjithatë, një pjesë e ekonomistëve argumentojnë se problemet e Evropës nuk lidhen vetëm me Kinën. Ata theksojnë se energjia e shtrenjtë, burokracia, mungesa e reformave dhe investimet e pamjaftueshme në inovacion kanë dobësuar konkurrueshmërinë evropiane. Gjithashtu, kufizimi i importeve kineze mund të dëmtojë vetë industrinë evropiane, e cila mbështetet në komponentë dhe lëndë të para të prodhuara në Kinë.

Në muajt e fundit, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një sërë masash mbrojtëse. Tarifat ndaj automjeteve elektrike kineze hynë në fuqi gjatë vitit 2024, ndërsa në qershor u miratuan masa të reja për importet e çelikut. Po ashtu, Komisioni Evropian ka kufizuar pjesëmarrjen e kompanive kineze në disa tenderë publikë dhe ka nisur hetime për subvencionet shtetërore që marrin prodhuesit kinezë.

Brukseli po shqyrton gjithashtu instrumente të reja për të përballuar atë që e konsideron mbikapacitet prodhues të Kinës. Mes tyre janë zgjerimi i masave kundër subvencioneve, vendosja e barrierave ndaj importeve që rriten me shpejtësi dhe kombinimi i mbrojtjes tregtare me politika industriale që favorizojnë prodhimin vendas.

Një tjetër ide në diskutim është krijimi i një mekanizmi të ngjashëm me instrumentin amerikan “Section 301”, i cili do t’i lejonte BE-së të vendoste tarifa të gjera ndaj vendeve që konsiderohen se përdorin praktika të padrejta tregtare.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian po promovon politika që synojnë forcimin e industrisë evropiane, përfshirë kushtëzimin e një pjese të prokurimeve publike me përdorimin e produkteve të prodhuara në Evropë dhe zgjerimin e investimeve në sektorë strategjikë si gjysmëpërçuesit.

Megjithatë, shqetësimi më i madh mbetet reagimi i mundshëm i Pekinit. Kina kontrollon një pjesë të madhe të përpunimit botëror të metaleve të rralla dhe komponentëve strategjikë, çka i jep mundësinë të ushtrojë presion ekonomik ndaj partnerëve tregtarë.

Pekini ka sinjalizuar tashmë një qëndrim më të ashpër, duke anuluar së fundmi dy takime të nivelit të lartë me Bashkimin Evropian. Analistët vlerësojnë se Kina mund të zgjedhë kundërmasa të targetuara për të mbrojtur interesat e saj, duke shmangur një luftë të plotë tregtare me Evropën.

Brenda vetë Bashkimit Evropian nuk ekziston ende një qëndrim i unifikuar. Gjermania mbështet një qasje më të ashpër, por druhet nga ndikimi që kundërmasat kineze mund të kenë mbi industrinë e saj eksportuese. Ndërkohë, Spanja favorizon një qasje më pragmatike, duke argumentuar se masat duhet të kufizohen vetëm ndaj praktikave të provuara si të padrejta.

Pavarësisht dallimeve, gjithnjë e më shumë zyrtarë evropianë pranojnë se ulja e varësisë ekonomike nga Kina është bërë një prioritet strategjik. Sipas tyre, nëse Evropa nuk vepron tani, kostot ekonomike dhe gjeopolitike mund të jenë edhe më të larta në të ardhmen.




Comments are closed.