×
Friday, June 26, 2026

Ali Ahmeti: Protestat në Tiranë po dëmtojnë turizmin dhe investimet në Shqipëri

June 26, 2026


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar lidhur me protestën që po zhvillohet prej 25 ditësh në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për pasojat që, sipas tij, këto zhvillime mund të kenë për Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon.

Në një deklaratë për mediat, Ahmeti vlerësoi rolin historik të Shqipërisë, veçanërisht në mbështetje të Kosovës, duke e cilësuar vendin një faktor të rëndësishëm në proceset e lirisë dhe shtetformimit.

Ai tha se po ndjek me shqetësim situatën në Shqipëri, duke argumentuar se protestat po i shkaktojnë vendit dy goditje të forta: dëmtimin e turizmit dhe frenimin e investimeve.

“Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; po goditen investimet e huaja dhe vendore. Asnjë investitor nuk rrezikon kapitalin e tij aty ku ka pasiguri”, deklaroi Ahmeti.

Sipas kreut të BDI-së, pasiguria dhe imazhi që krijohet jashtë vendit mund të kenë ndikim negativ në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, si dhe të largojnë investitorët vendas e të huaj.

Ahmeti theksoi se deklaratat e tij nuk kanë për qëllim mbrojtjen e figurave politike, por mbrojtjen e interesit të Shqipërisë.

Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve të analizojnë me kujdes pasojat e zhvillimeve politike, duke paralajmëruar se tensionet dhe pasiguria mund të dëmtojnë jo vetëm Shqipërinë, por edhe interesat e shqiptarëve në rajon.




Comments are closed.