Trump sinjalizon rikthimin e Turqisë në programin “F-35”: Do të bëj diçka që do t’i bëjë shumë të lumtur
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se Turqia mund të rikthehet në programin e avionëve luftarakë “F-35”, vetëm pak javë përpara samitit të NATO-s që do të zhvillohet më 7-8 korrik në Ankara.
Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump u pyet nëse kishte lajme të mira për Ankaranë lidhur me pjesëmarrjen në programin “F-35”. Ai u përgjigj shkurt: “Mendoj se po.”
Pyetja lidhej gjithashtu me kërkesën e Turqisë për furnizim me motorë amerikanë për një projekt tjetër të avionëve luftarakë.
“Me shumë gjasa do të bëj diçka që do t’i bëjë ata shumë të lumtur”, deklaroi Trump.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Ankarasë u përkeqësuan gjatë mandatit të parë të Trumpit, pasi Turqia bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore “S-400” në vitin 2019. Si pasojë, SHBA-ja e përjashtoi Turqinë nga programi “F-35” dhe vendosi sanksione ndaj agjencisë turke të prokurimeve në sektorin e mbrojtjes.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance bëri të ditur se administrata po shqyrton nëse Turqia i përmbush kushtet për t’u rikthyer në program, duke theksuar se procesi i vlerësimit ende nuk ka përfunduar.
Trump shprehu gjithashtu vlerësim për marrëdhëniet e tij me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
“Mendoj se Erdogan është një njeri shumë i mirë”, tha presidenti amerikan, duke pranuar se lideri turk është një figurë kontroverse, por duke shtuar se edhe vetë ai konsiderohet i tillë.
Trump la të kuptohet gjithashtu se ndoshta nuk do të merrte pjesë në samitin e NATO-s në Ankara po të mos ishte për marrëdhënien e tij me presidentin Erdogan.







