Macron dhe Meloni lënë pas përplasjet, Franca dhe Italia nënshkruajnë marrëveshje strategjike
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilluan të enjten në Antibes, në Rivierën Franceze, samitin e parë dypalësh mes Francës dhe Italisë që prej vitit 2020, duke sinjalizuar fundin e viteve të tensioneve politike dhe nisjen e një faze të re bashkëpunimi strategjik.
Takimi vjen në një moment kur ndryshimet në marrëdhëniet me administratën amerikane të Donald Trump kanë afruar pozicionet e Parisit dhe Romës. Sipas analistëve, përplasjet e fundit mes Melonit dhe Trumpit, pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, kanë krijuar kushte për një afrim më të madh mes dy liderëve evropianë.
Për vite me radhë, Meloni dhe Macron kanë pasur një marrëdhënie të vështirë, me përplasje të vazhdueshme për emigracionin, politikat sociale, abortin, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rolin e Francës në Afrikë. Edhe pas ardhjes së Melonit në pushtet në vitin 2022, përpjekjet e Macron për të ndërtuar një marrëdhënie më të ngushtë nuk dhanë rezultat, ndërsa kryeministrja italiane zgjodhi të forconte më shumë raportet me Gjermaninë.
Megjithatë, zhvillimet e muajve të fundit kanë ndryshuar ndjeshëm ekuilibrat politikë. Përplasjet e Melonit me presidentin amerikan Donald Trump dhe nevoja për një qëndrim më të bashkuar evropian kanë krijuar terren për një afrim të ri mes Francës dhe Italisë.
Në samitin e Antibes morën pjesë rreth 20 ministra nga të dy vendet, drejtues të kompanive më të mëdha industriale dhe biznesmenë, të cilët nënshkruan rreth një duzinë marrëveshjesh strategjike.
Një nga marrëveshjet më të rëndësishme lidhet me energjinë bërthamore civile, ku Franca do të bashkëpunojë me Italinë në zhvillimin e teknologjive të reja, përfshirë reaktorët modularë të vegjël (SMR). Gjithashtu u arrit marrëveshje për një partneritet të ri në industrinë hapësinore mes Airbus, Leonardo dhe Thales.
Në qendër të samitit ishte edhe forcimi i bashkëpunimit në mbrojtje, vetëm pak ditë pasi dështuan negociatat shumëvjeçare mes Francës dhe Gjermanisë për avionin luftarak të gjeneratës së ardhshme.
Franca dhe Italia miratuan një plan bashkëpunimi ushtarak për periudhën 2025-2031, një strategji të përbashkët për sigurinë në Mesdhe, si dhe projekte për prodhimin e raketave Aster dhe zhvillimin e një sistemi franko-italian të mbrojtjes ajrore.
Marrëveshjet përfshijnë gjithashtu bashkëpunimin për mbrojtjen e produkteve tradicionale ushqimore, zhvillimin e infrastrukturës mes dy vendeve, përfshirë linjën hekurudhore Lyon-Torino, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ruajtjen e mjedisit detar dhe bashkëpunimin në industrinë e modës.
Dy liderët diskutuan edhe çështjet kryesore që po përballen Bashkimi Evropian, si forcimi i industrisë evropiane, rregullat “Made in Europe”, marrëdhëniet me Kinën, buxheti i ardhshëm i BE-së dhe burimet e reja të financimit të tij.
Pavarësisht rivalitetit historik ekonomik dhe politik, marrëdhëniet tregtare mes Francës dhe Italisë kanë vijuar të rriten. Gjatë vitit 2025, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën në rreth 112 miliardë euro, 6% më shumë se një vit më parë, ndërsa investimet direkte franceze në Itali kapën vlerën e 100 miliardë eurove, më të lartat që Franca ka në ndonjë vend tjetër.
Samiti i Antibes konsiderohet si një moment kyç për rivendosjen e partneritetit franko-italian, në një periudhë kur Evropa po përballet me sfida të mëdha gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë. Për Macron, ky është gjithashtu samiti i fundit dypalësh me Melonin përpara përfundimit të mandatit të tij presidencial, ndërsa të dy liderët synojnë të kthejnë marrëdhëniet mes Parisit dhe Romës në një nga boshtet kryesore të bashkëpunimit brenda Bashkimit Evropian.







