×
Thursday, June 25, 2026

BE disburson 3.2 miliardë euro për Ukrainën, nis paketa e re prej 90 miliardë eurosh

June 25, 2026


Ukraina ka marrë këstin e parë prej 3,2 miliardë eurosh nga paketa e re e mbështetjes financiare prej 90 miliardë eurosh e miratuar nga Bashkimi Evropian, bëri të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Gjatë Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës, që po zhvillohet në Gdansk të Polonisë, von der Leyen tha se fondet e para do të përdoren për mbështetjen e buxhetit të shtetit ukrainas, ndërsa në ditët në vijim pritet edhe një pagesë shtesë për financimin e prodhimit të dronëve.

Paketa e re, e miratuar në fillim të këtij viti, përfshin 60 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe 30 miliardë euro mbështetje buxhetore për Ukrainën gjatë viteve 2026 dhe 2027.

“Disbursimi i parë tregon se mbështetja e Evropës për Ukrainën është afatgjatë”, deklaroi von der Leyen.

Sipas Komisionit Evropian, fondet synojnë të ndihmojnë Ukrainën të vazhdojë mbrojtjen ndaj agresionit rus dhe të ruajë stabilitetin financiar të shtetit.

Financimi sigurohet përmes huamarrjes së Komisionit Evropian në tregjet ndërkombëtare të kapitalit me kushte të favorshme. Marrëveshja parashikon që Ukraina ta shlyejë kredinë vetëm nëse Rusia paguan dëmshpërblime pas përfundimit të luftës.

Nëse Moska nuk kryen këto pagesa, liderët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord që asetet ruse të ngrira në territorin e BE-së të përdoren për shlyerjen e kredisë.

Paketa financiare u miratua njëzëri nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian në muajin prill, pasi kishte mbetur për disa muaj e bllokuar nga Hungaria.




Comments are closed.