×
Thursday, June 25, 2026

Karakaçi: Marrëveshja me ENI forcon sigurinë energjetike të Shqipërisë

June 23, 2026


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar mes Shqipërisë, Italisë dhe kompanisë italiane ENI S.p.A. si një hap strategjik për forcimin e sigurisë energjetike dhe zhvillimin afatgjatë të sektorit të hidrokarbureve në vend.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Tiranë, Karakaçi deklaroi se bashkëpunimi me një nga kompanitë më të mëdha energjetike në Europë krijon mundësi të reja për studime, investime dhe projekte strategjike që lidhen me furnizimin dhe magazinimin e produkteve energjetike.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e energjisë, shënojmë një hap më të sigurt drejt sfidave të së ardhmes në këtë sektor”, u shpreh ministri.

Sipas Karakaçit, memorandumi parashikon zhvillimin e studimeve të specializuara, hartimin e projekteve strategjike dhe analizimin e mundësive për krijimin e kapaciteteve të reja të furnizimit dhe magazinimit të energjisë në Shqipëri.

Ai theksoi se energjia mbetet një element kyç i sigurisë kombëtare, veçanërisht në kushtet e zhvillimeve të fundit gjeopolitike dhe sfidave që lidhen me tregjet ndërkombëtare të energjisë.

“Energjia është komponent strategjik i sigurisë. Në kushtet e situatës gjeopolitike, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një qasje të qëndrueshme dhe afatgjatë për të krijuar siguri energjetike në çdo rrethanë”, deklaroi ai.

Karakaçi nënvizoi gjithashtu progresin e bërë në diversifikimin e burimeve energjetike, duke kujtuar se mbi 10% e prodhimit të energjisë në vend vjen tashmë nga parqet fotovoltaike.

“Ne kemi punuar për diversifikimin e burimeve energjetike. Objektivi ynë është rritja e sigurisë energjetike dhe në këtë linjë është konsideruar edhe sektori i hidrokarbureve”, tha ministri.

Ai bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përgatitur strategjinë kombëtare për furnizimin me karburante, e cila pritet të miratohet në Kuvend. Sipas tij, kjo reformë do të krijojë depozita të sigurta karburantesh dhe do të afrojë më tej Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian.

“Përmes këtij ligji Shqipëria siguron depozita karburantesh të sigurta dhe të qëndrueshme. Kjo reformë përbën një instrument të rëndësishëm për forcimin e sistemeve të magazinimit dhe stoqeve strategjike”, theksoi Karakaçi.

Në fund të fjalës së tij, ministri u shpreh se projekti synon të ndërtojë themelet e sigurisë energjetike për dekadat e ardhshme.

“Sot po marrim hapin e duhur për të studiuar me seriozitet të gjitha alternativat për zhvillim. Shqipëria po ndërton themelet e një sigurie energjetike që do t’u përgjigjet brezave që vijnë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i ENI S.p.A., Claudio Descalzi, zbuloi se ideja e bashkëpunimit lindi pas një propozimi të kryeministrit Edi Rama.

“Ishte pikërisht ai që e hodhi këtë ide për të bashkuar nevojat e një vendi me teknologjinë dhe eksperiencën tonë. Besova menjëherë te ky projekt dhe vendosëm të ecim përpara”, tha Descalzi.

Ai bëri të ditur se në muajt e fundit është punuar intensivisht mes ekipeve teknike dhe institucioneve të të dy vendeve, ndërsa konfirmoi se po shqyrtohen edhe projekte të reja infrastrukturore, përfshirë linjat e transmetimit energjetik që do të lidhin Shqipërinë me Italinë.

Marrëveshja konsiderohet një hap i rëndësishëm në strategjinë e Shqipërisë për të forcuar pavarësinë energjetike, për të krijuar rezerva strategjike të hidrokarbureve dhe për të rritur qëndrueshmërinë e sektorit energjetik përballë sfidave globale.




Comments are closed.