Rama: Juria studentore dhe projektet pro bono, dy risitë e konkursit për kampusin e UAMD
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se Konkursi Ndërkombëtar për Kampusin e Ri Universitar “Aleksandër Moisiu” në Durrës sjell për herë të parë dy risi të rëndësishme, të propozuara nga studentë të universitetit prestigjioz ETH të Zyrihut.
Gjatë prezantimit të pesë ekipeve finaliste, Rama theksoi se Shqipëria është kthyer në një destinacion tërheqës për arkitektët, urbanistët dhe institucionet akademike ndërkombëtare, duke sjellë jo vetëm projekte konkrete, por edhe bashkëpunime kërkimore afatgjata.
Sipas tij, studentët e ETH Zurich kanë afro një vit që zhvillojnë studime dhe projekte kërkimore në Shqipëri, ndërsa kanë kontribuar edhe me ide të reja për procesin e konkurrimit për kampusin e ri universitar.
Risia e parë, sipas Ramës, është krijimi i një jurie studentore, e cila do të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe paralelisht me jurinë zyrtare ndërkombëtare.
“Studentët do të analizojnë dhe vlerësojnë pesë propozimet finaliste, duke hartuar një raport me konkluzionet e tyre, i cili do t’i paraqitet jurisë zyrtare përpara marrjes së vendimit përfundimtar”, tha Rama.
Ai sqaroi se raporti i studentëve do të ketë rol këshillimor në procesin e vlerësimit, ndërsa një përfaqësues i tyre është pjesë e jurisë zyrtare gjatë gjithë procesit si këshilltar i përhershëm.
“Është e rëndësishme që zëri i atyre që përdorin sot kampusin dhe që do të jetojnë të ardhmen e tij të jetë pjesë e procesit të vendimmarrjes”, u shpreh kryeministri.
Risia e dytë lidhet me zgjerimin e diskutimit përtej kufijve fizikë të kampusit universitar. Rama tha se ekipeve finaliste u është kërkuar të reflektojnë jo vetëm mbi projektimin e kampusit, por edhe mbi marrëdhënien e tij me qytetin e Durrësit.
“Krahas projektimit të kampusit, ekipeve finaliste u është kërkuar të reflektojnë edhe mbi zonën lidhëse mes universitetit dhe qytetit të Durrësit, duke e konsideruar atë pjesë të së njëjtës histori urbane”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, synimi është të kuptohet më mirë se si zhvillimi i kampusit mund të ndikojë pozitivisht në qytet dhe anasjelltas.
Kryeministri bëri të ditur se gjatë procesit të vlerësimit, ekipet finaliste do të marrin pjesë në një workshop intensiv me përfaqësues të Bashkisë së Durrësit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe komunitetit lokal.
Në fokus të diskutimeve do të jenë çështje si hapësirat publike, siguria rrugore, lëvizshmëria urbane, aksesueshmëria për këmbësorët dhe biçikletat, si dhe transformimi i zonave informale përmes planifikimit urban.
Rama theksoi se në fund të procesit synohet që secili prej pesë ekipeve finaliste të zhvillojë pa pagesë një ose dy projekte konkrete në shërbim të komunitetit.
“Nuk e kufizojmë konkursin vetëm te përzgjedhja e një fituesi, por e konsiderojmë atë si një pikënisje për shumë më tepër se kaq”, tha kryeministri.
Sipas tij, projektet e propozuara do të zhvillohen më pas në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe institucione të tjera partnere, duke sjellë përfitime konkrete për qytetin dhe komunitetin universitar.







