Rama: Shqipëria po kthehet në një hallkë strategjike të sigurisë energjetike të Evropës
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në sigurinë energjetike të Evropës, ndërsa theksoi se Bashkimi Evropian ka nevojë për më shumë unitet politik dhe kapacitete vendimmarrëse për të përballuar sfidat e kohës.
Në një intervistë të dhënë gjatë samitit ndërkombëtar “Future Investment Initiative Europe 2026”, Rama foli për sfidat me të cilat përballet Evropa, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe projektet strategjike energjetike që pritet të ndikojnë në të ardhmen e rajonit.
Duke komentuar rolin e Evropës në skenën globale, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se problemi kryesor i kontinentit mbetet funksionimi politik dhe mungesa e një mekanizmi më efektiv vendimmarrjeje.
“Evropa ka një problem politik. Përveç të gjitha reformave dhe rekomandimeve që dihen, ekziston çështja e funksionimit politik të Evropës. Nëse nuk ka një kapacitet të përbashkët politik për të ecur në të njëjtin drejtim dhe për të marrë vendime me vendosmëri, gjithçka tjetër bëhet shumë më e vështirë”, deklaroi Rama.
I pyetur për situatën politike në Shqipëri dhe protestat e zhvilluara javët e fundit, kryeministri tha se vendi nuk po kalon një periudhë tensioni të jashtëzakonshëm, por një debat ku përfshihen aktorë dhe interesa të ndryshme.
Sipas tij, protestat janë amplifikuar në mënyrë të konsiderueshme nga rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare, ndërsa shtoi se pjesë e vëmendjes së madhe lidhet edhe me emrin e presidentit amerikan Donald Trump dhe investimet e lidhura me familjen e tij në Shqipëri.
“Ka një amplifikim shumë të madh të debatit dhe kjo lidhet edhe me përplasjen politike e ideologjike kundër Donald Trump. Ka një këmbëngulje të tepruar që shpesh largohet nga thelbi i debatit”, u shpreh Rama.
Duke folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, kryeministri vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve si më të mirin në histori.
“Jemi në momentin më të mirë të marrëdhënieve tona. Ka një vullnet të përbashkët për të qenë më strategjikë dhe për të zhvilluar projekte konkrete që i shërbejnë interesave të të dy vendeve”, tha ai.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua energjisë dhe projekteve të reja që po zhvillohen mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Rama zbuloi se tre vendet po punojnë për një mekanizëm të ri bashkëpunimi që synon prodhimin dhe transportimin e energjisë së pastër drejt Evropës.
“Me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kemi një ambicie të rëndësishme për të krijuar një mekanizëm të ri që do të prodhojë dhe do të sjellë më shumë energji të pastër në Evropë. Është një projekt shumë strategjik për Shqipërinë, Italinë dhe vetë Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe tensionet në Lindjen e Mesme kanë treguar edhe një herë rëndësinë që ka siguria energjetike për kontinentin evropian.
“Evropa e ka kuptuar sa thelbësore është energjia dhe sa e lidhur është ajo me gjeopolitikën. Për këtë arsye po përpiqemi të ndërtojmë projekte që i shërbejnë interesave të përbashkëta dhe që forcojnë bashkëpunimin mes vendeve tona”, përfundoi Rama.







