Rama për Bloomberg: Nuk do të tërhiqemi nga projektet e Kushner pavarësisht protestave
Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare nuk do të tërheqë mbështetjen për dy projektet turistike të lidhura me kompaninë e investimeve të Jared Kushner, pavarësisht protestave që kanë vijuar prej javësh kundër zhvillimit të tyre.
Në një prononcim për Bloomberg News, Rama u shpreh se detyra e tij është të bëjë dallimin mes protestave legjitime qytetare dhe asaj që ai e cilësoi si “teatër politik”, duke theksuar se qeveria do të vazhdojë zbatimin e vizionit të saj për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Sipas kryeministrit, qytetarët shqiptarë i dhanë qeverisë një mandat të qartë në zgjedhjet e fundit për të çuar përpara transformimin e Shqipërisë në një destinacion turistik premium dhe jo për të qeverisur sipas presionit të rrjeteve sociale apo reagimeve të momentit.
“Qytetarët na dhanë një mandat të fortë për të realizuar vizionin tonë për Shqipërinë dhe jo për të qeverisur sipas hashtagëve apo sipas jehonës më të zhurmshme”, u shpreh Rama.
Projektet e mbështetura nga Affinity Partners, kompania e investimeve e Jared Kushner, janë kthyer në qendër të debatit publik dhe protestave që kanë përfshirë Tiranën gjatë javëve të fundit. Kundërshtarët e tyre kërkojnë anulimin e investimeve dhe akuzojnë qeverinë për mungesë transparence në procesin e miratimit të tyre.
Megjithatë, Rama deklaroi se as protestat, as presioni politik dhe as ajo që ai e cilësoi si “amplifikim dixhital” nuk do të ndryshojnë drejtimin e qeverisë.
“As një pakicë e zhurmshme e mbështetur nga forcat opozitare dhe as një valë indinjate e amplifikuar në mënyrë dixhitale nuk do të na largojë nga zbatimi i Vizionit Shqipëria 2030”, deklaroi kryeministri.
Ai përsëriti gjithashtu pretendimet e mëparshme se pas protestave mund të ketë ndikime të aktorëve të huaj, duke përmendur sërish Iranin, por pa paraqitur prova konkrete.
“Në fund koha do të tregojë se Irani nuk është i vetmi aktor i përfshirë”, tha Rama për Bloomberg.
Protestat nisën në fund të muajit maj, pas fillimit të punimeve përgatitore në zonën e Zvërnecit dhe pas deklaratave publike të Ivanka Trump për planet e zhvillimit turistik në ishullin e Sazanit.
Kryeministri theksoi se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj standardeve ligjore dhe detyrimeve europiane, duke mbrojtur njëkohësisht pasuritë natyrore dhe investimet strategjike.
“Standardi ynë është i qartë: ligji, shkenca, transparenca dhe detyrimet europiane, jo histeria. Ne po e hapim vendin, po mbrojmë pasuritë e tij natyrore, po tërheqim investime serioze dhe po ecim me vendosmëri drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.
Protestat kundër projektit në Zvërnec dhe Sazan vijojnë prej më shumë se tre javësh, ndërsa debati publik mbi ndikimin e investimeve të mëdha në zonat e mbrojtura mbetet një nga çështjet më të diskutuara në vend.







