×
Tuesday, June 23, 2026

Peleshi: Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor me 92% mbështetje për anëtarësimin në BE

June 22, 2026


Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për nivelin e mbështetjes së qytetarëve ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian. Të dhënat janë publikuar nga Komisioni Europian dhe tregojnë se 92% e shqiptarëve mbështesin integrimin e vendit në BE.

Duke iu referuar këtyre shifrave, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se shqiptarët vazhdojnë të jenë ndër mbështetësit më të vendosur të projektit europian dhe të së ardhmes së vendit brenda familjes europiane.

“Me 92% mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria kryeson mes vendeve kandidate për nivelin e besimit dhe përkushtimit ndaj integrimit europian”, deklaroi Peleshi.

Sipas tij, për qytetarët shqiptarë procesi i integrimit nuk lidhet vetëm me anëtarësimin formal në BE, por përfaqëson një perspektivë më të sigurt për zhvillimin ekonomik, stabilitetin institucional dhe mirëqenien e brezave të ardhshëm.

“Për qytetarët tanë, rruga drejt BE-së përfaqëson më shumë siguri dhe stabilitet, më shumë mundësi për zhvillim ekonomik, si dhe një perspektivë më të mirë për brezat që vijnë. Ky besim i lartë është një motivim shtesë për të vijuar me vendosmëri reformat dhe procesin e integrimit europian”, theksoi ai.

Sipas të dhënave të publikuara, pas Shqipërisë renditet Kosova me 83% mbështetje për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina regjistrojnë secila mbi 60% mbështetje nga qytetarët për integrimin europian.

Ndërkohë, Serbia paraqet nivelin më të ulët të mbështetjes në rajon, me vetëm 31% të qytetarëve që shprehen pro anëtarësimit në BE.

Shqipëria ndodhet aktualisht në procesin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe ka avancuar në hapjen e kapitujve negociues. Autoritetet shqiptare e konsiderojnë vijimin e reformave, forcimin e institucioneve demokratike dhe përafrimin me legjislacionin europian si elementë kyç për përmbushjen e objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në BE.




Comments are closed.