×
Tuesday, June 23, 2026

Balla: Kamza ka pësuar një transformim epokal në arsim dhe zhvillim urban

June 22, 2026


Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës , Taulant Balla, sëbashku me kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, inspektuan shkollën “Murat Toptani” dhe investimet në infrastrukturën arsimore dhe zhvillimin urban të zonës, duke vlerësuar ndryshimet e rëndësishme që ka pësuar qyteti në vitet e fundit.

Gjatë vizitës, Balla e cilësoi zhvillimin e Kamzës si një “transformim epokal”, duke sjellë në vëmendje ndryshimet e ndjeshme në sistemin parashkollor. Ai theksoi se në vitin 2019 nuk kishte asnjë fëmijë të regjistruar në kopshte dhe çerdhe, ndërsa sot ky numër ka arritur në 5.700.

Balla theksoi se ky tregues e rendit Kamzën si bashkinë e dytë në Shqipëri për numrin e fëmijëve që ndjekin kopshtet dhe çerdhet, duke veçuar modelin e menaxhimit të tyre dhe ndikimin që ai ka pasur në përmirësimin e shërbimeve.

“Në Kamëz nuk ka kopshte dhe çerdhe private. Ka vetëm të bashkisë. Kjo ka sjellë një standard të unifikuar dhe përmirësim të ndjeshëm të kushteve për fëmijët dhe stafin mësimor”, u shpreh Balla.

Balla nënvizoi se përmirësimi i kushteve dhe stafi i kualifikuar po japin rezultate të dukshme, me nxënës të Kamzës që po spikasin edhe në olimpiadat kombëtare.

Gjithashtu, Balla bëri të ditur se shkolla “Murat Toptani” do të jetë gati për të pritur nxënësit në nisje të vitit të ri shkollor, më 15 shtator, duke theksuar rëndësinë e përgatitjeve në kohë për infrastrukturën arsimore.




Comments are closed.