×
Tuesday, June 23, 2026

Gogu takon drejtuesit e rinj të Avokatisë, fokus zbatimi i Konventës për mbrojtjen e profesionit

June 22, 2026


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi sot takimin e parë me kryesinë e re të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zbatimin e angazhimeve të reja në sistemin e drejtësisë.

Në qendër të takimit ishte Konventa e Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, e nënshkruar së fundmi nga Shqipëria, e cila synon të garantojë ushtrimin e lirë, të pavarur dhe të mbrojtur të profesionit të avokatit.

Përmes një reagimi publik, ministri Gogu theksoi se një avokaturë e pavarur është një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës dhe një garanci e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

“Avokatura e pavarur nuk është privilegj i një profesioni. Ajo është pjesë e arkitekturës së shtetit të së drejtës dhe garanci konkrete për çdo qytetar që kërkon mbrojtje, përfaqësim dhe akses në drejtësi. Kur avokati punon i lirë, fiton qytetari, jo profesioni”, u shpreh Gogu.

Sipas ministrit, gjatë takimit u diskutuan hapat konkretë për zbatimin e Konventës, forcimin e sistemit të ndihmës juridike falas dhe thellimin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë në kuadër të reformës në drejtësi.

Gogu bëri të ditur se palët ranë dakord për ngritjen e një grupi të përbashkët pune, me mandat dhe afate të qarta, për të ndjekur zbatimin e objektivave të përbashkëta.

“Diskutuam hapat e ardhshëm: zbatimin e Konventës, forcimin e ndihmës juridike falas dhe bashkëpunimin konkret në kuadrin e reformës së drejtësisë. Dakordësuam një grup pune të përbashkët me mandat dhe afat të qartë. Bashkëpunimi midis Ministrisë dhe Dhomës nuk është mirësjellje institucionale, është kusht i funksionimit të sistemit të drejtësisë”, theksoi ministri.

Takimi konsiderohet si një hap i rëndësishëm për forcimin e dialogut mes institucioneve të drejtësisë dhe për garantimin e standardeve europiane në ushtrimin e profesionit të avokatit, në një kohë kur Shqipëria vijon procesin e integrimit europian dhe zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor.




Comments are closed.