Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke komentuar rolin e ish-luftëtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, në paraqitjen e kërkesave të protestuesve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla deklaroi se zhvillimet e protestës kanë nxjerrë në pah, sipas tij, personazhe dhe qëndrime që nuk përfaqësojnë interesat kombëtare të Shqipërisë. Ai u ndal veçanërisht te fakti që kërkesat e protestuesve u lexuan nga Dritan Goxhaj, të cilin e akuzoi se prej kohësh ka mbajtur qëndrime publike në mbështetje të regjimit iranian.
“Sot skenari u zbardh plotësisht. Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti ‘zëdhënësi’ i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë”, shkroi Balla.
Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, është e papranueshme që një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mbajë qëndrime që, sipas tij, bien ndesh me interesat e Kosovës dhe të aleatëve të saj strategjikë.
“E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë”, theksoi Balla.
Në reagimin e tij, ai akuzoi gjithashtu mbështetës të protestës se po bien pre e narrativave që, sipas tij, nuk kanë lidhje me interesin publik apo mbrojtjen e mjedisit, por me qëllime të tjera politike.
“Tani ‘patriotët’ edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit. Avash-avash, të gjitha po dalin. Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme”, u shpreh Balla.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur protesta kundër investimit të planifikuar në zonën e Zvërnecit ka hyrë në ditën e 23-të. Organizatorët e protestës vijojnë të kundërshtojnë projektin, duke kërkuar mbrojtjen e Lagunës së Nartës dhe të ekosistemit të zonës, ndërsa qeveria ka deklaruar se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar dhe se çdo propozim do t’i nënshtrohet vlerësimit të plotë mjedisor dhe ligjor.