×
Saturday, June 20, 2026

Andi Hila: Botërori që mund të hyjë në histori

June 20, 2026


Unë jam një tifoz i madh i Botërorit. Kam lexuar, parë dokumentarë dhe jam përpjekur të mësoj sa më shumë për historinë e Kupës së Botës, që nga viti 1930 kur u zhvillua për herë të parë në Uruguai.

Pak veta e dinë se edhe Shqipëria kishte marrë një ftesë për të marrë pjesë në atë Botëror historik. Megjithatë, Mbreti Zog vendosi të mos e dërgonte ekipin kombëtar, pasi sipas tij vendi kishte prioritete të tjera më të rëndësishme. Sot kjo mund të duket e çuditshme, por atëherë kohët ishin krejt ndryshe.

Sot jetojmë në një epokë tjetër dhe po shijojmë një Botëror që shumë specialistë e konsiderojnë si një kandidat serioz për të qenë ndër më të bukurit në histori.

Jemi ende në fazën e grupeve dhe disa skuadra kanë bërë detyrën me autoritet. Franca, Argjentina, Anglia dhe Gjermania kanë treguar forcë, cilësi dhe personalitet. Në anën tjetër, Brazili, Portugalia dhe Spanja deri tani kanë lënë vend për zhgënjim.

Për mua, surprizat më të bukura të këtij Botërori janë Maroku, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Cape Verde. Këto skuadra po tregojnë se emri i madh nuk fiton ndeshje. Në fushë fiton ai që vrapon më shumë, lufton më shumë dhe gabon më pak.

Për ekipet kryesore kam disa përshtypje të thjeshta.

Hollanda ka lojtarë shumë cilësorë, por ende nuk më bind trajneri. Besoj se kjo skuadër mund të japë shumë më tepër nga sa kemi parë deri tani.

Franca ka sulm të jashtëzakonshëm, mbrojtje solide, shpejtësi dhe cilësi individuale. Megjithatë, i mungojnë mesfushorët që ndërtojnë lojën nga prapa dhe kontrollojnë ritmin e ndeshjes.

Brazili ka probleme në mesfushë. Me Casemiron dhe Paquetán do ta ketë të vështirë të dominojë skuadrat e mëdha. Megjithatë, Carlo Ancelotti është një nga trajnerët më të mirë në historinë e futbollit dhe mund të gjejë zgjidhjen në momentin e duhur.

Argjentina më pëlqeu shumë në ndeshjen e parë. Lionel Messi duket në formë fantastike. Rreziku i vetëm është që skuadra të mbështetet tepër tek ai dhe të presë që të zgjidhë çdo ndeshje i vetëm.

Anglia është favoritja ime për titullin. Ka një skuadër të kompletuar, lojtarë në formë dhe një trajner të madh si Thomas Tuchel. Nëse i buzëqesh edhe fati, ndoshta anglezët mund ta rikthejnë Kupën e Botës në shtëpi pas 60 vitesh.

Portugalia ka emra të mëdhenj në letër, por si skuadër ende nuk më bind. Cristiano Ronaldo mbetet një kampion i jashtëzakonshëm, por mosha nuk fal askënd. Dëshira është aty, por fiziku nuk është më ai i viteve të arta.

SHBA është skuadra që më ka bërë më shumë përshtypje. Kanë energji, disiplinë, forcë fizike dhe talent. Janë një ekip që mund t’i hapë probleme çdo kundërshtari.

Por në fund të fundit, Botërori është shumë më tepër sesa futboll. Ai është emocion, histori, krenari kombëtare, prestigj dhe ndonjëherë edhe politikë. Për një muaj të tërë, bota ndalet dhe miliarda njerëz flasin të njëjtën gjuhë: futbollin.

Carlo Ancelotti ka thënë se Botërorin e fitojnë skuadrat që kanë talent, durim dhe fat. Unë mendoj se duhet edhe karakter.

Tani na mbetet vetëm të shijojmë ndeshjet dhe të shohim se kush do ta ngrejë lart trofeun më të rëndësishëm në futboll.




Comments are closed.