Nga “Zvicra e Lindjes së Mesme” në partner të dyshuar: Si humbi Omani rolin kryesor në negociatat SHBA-Iran
Për dekada me radhë, Omani ka qenë një nga ndërmjetësit më të besueshëm në dialogun mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme duket se kanë zbehur ndjeshëm ndikimin e Muscatit në diplomacinë rajonale.
I njohur si “Zvicra e Lindjes së Mesme” për politikën e tij të neutralitetit, Omani luajti një rol kyç në negociatat sekrete që çuan në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore. Megjithatë, në procesin që çoi në memorandumit e fundit të mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, vendi i Gjirit mbeti në hije.
Kur presidenti amerikan Donald Trump shpalli arritjen e marrëveshjes me Teheranin, ai falënderoi disa vende të rajonit për kontributin e tyre, por nuk përmendi Omanin, i cili historikisht kishte shërbyer si kanali kryesor i komunikimit mes dy vendeve.
Sipas analistit Hisham Helger nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara në Londër, politika e jashtme e Omanit ka qenë gjithmonë e bazuar në ruajtjen e marrëdhënieve të balancuara me Iranin, SHBA-në dhe vendet e tjera të Gjirit.
“Modeli i Omanit bazohet në mbajtjen e kanaleve të hapura të komunikimit me Teheranin, Uashingtonin dhe vendet e Gjirit në të njëjtën kohë”, shprehet ai.
Megjithatë, sipas ekspertëve, marrëdhëniet mes Muscatit dhe administratës amerikane u ftohën pas deklaratave të autoriteteve omaneze kundër sulmeve amerikane ndaj Iranit dhe pas qëndrimeve të perceptuara në Uashington si tepër afër Teheranit.
Një moment tjetër që ndikoi në këtë perceptim ishte përgëzimi i Sulltanit Haitham bin Tariq ndaj Ajatollah Mojtaba Khamenei pas marrjes së postit të udhëheqësit suprem të Iranit, një veprim që u interpretua nga disa qarqe amerikane si largim nga neutraliteti tradicional.
Ndërkohë, roli i ndërmjetësimit kaloi gradualisht te aktorë të tjerë rajonalë. Pakistani, me mbështetjen e Egjiptit, Turqisë dhe Arabisë Saudite, mori një rol më aktiv në negociata, ndërsa Katari forcoi pozicionin e tij si urë komunikimi mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, administrata Trump vendosi të reduktojë ndjeshëm përfshirjen e Omanit në procesin diplomatik. Një zyrtar amerikan u shpreh se Uashingtoni kishte humbur besimin te roli i Muscatit, duke e konsideruar atë tepër të afërt me Iranin.
Tensionet u rritën më tej për shkak të debatit mbi Ngushticën e Hormuzit. Presidenti Trump paralajmëroi më herët se do të reagonte ashpër nëse Omani do të bashkëpunonte me Iranin për të vendosur kontroll të përbashkët mbi këtë korridor strategjik detar.
Megjithatë, pavarësisht mosmarrëveshjeve, Omani vazhdon të ketë një rol në kuadër të marrëveshjes së re SHBA-Iran. Dokumenti parashikon që Muscati, së bashku me Teheranin dhe vendet e tjera të Gjirit, të kontribuojë në përcaktimin e mekanizmave të ardhshëm për administrimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.
Ekspertët vlerësojnë se neutraliteti i Omanit mund të ketë qenë pikërisht arsyeja pse vendi shmangu përfshirjen direkte në konflikt. Ndryshe nga disa vende të tjera të rajonit, Omani mbeti larg përshkallëzimit ushtarak, ndërsa aeroportet dhe portet e tij u shndërruan në pika kyçe tranziti për evakuime dhe transport tregtar.
Edhe pse roli i tij si ndërmjetësi kryesor mes SHBA-së dhe Iranit është zbehur, Omani mbetet një aktor i rëndësishëm në arkitekturën diplomatike dhe të sigurisë së Gjirit Persik, veçanërisht në një periudhë kur stabiliteti i rajonit mbetet ende i brishtë.







