Putin: Rusia ka avantazh strategjik në Ukrainë, asnjë sulm nuk do ta ndalë përparimin
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se forcat ruse vazhdojnë të kenë avantazh strategjik në luftën në Ukrainë dhe se operacionet ushtarake po ecin sipas objektivave të Moskës.
Gjatë një takimi të transmetuar drejtpërdrejt nga Kremlini, Putin tha se ushtria ruse po avancon në front dhe se sulmet ukrainase nuk do të jenë në gjendje të ndryshojnë rrjedhën e konfliktit.
“Forcat tona mbajnë një avantazh strategjik, po përparojnë me siguri dhe asnjë bombardim apo sulm me dron nuk do ta ndryshojë këtë situatë”, u shpreh presidenti rus.
Putin akuzoi gjithashtu Ukrainën se po përdor, sipas tij, “metoda terroriste”, duke iu referuar sulmeve me dronë dhe operacioneve që kanë shënjestruar objektiva brenda territorit rus.
Deklaratat e kreut të Kremlinit vijnë në një kohë kur luftimet mes dy vendeve vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërsa Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj infrastrukturës ushtarake dhe energjetike ruse.
Nga ana tjetër, Kievi argumenton se këto operacione janë pjesë e strategjisë mbrojtëse për të dobësuar kapacitetet ushtarake të Rusisë dhe për të kufizuar furnizimet që mbështesin luftën.
Lufta në Ukrainë, e cila nisi në shkurt të vitit 2022, mbetet një nga konfliktet më të mëdha dhe më të përgjakshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.







