Hyn në fuqi reforma e re e azilit në BE, procedura më të shpejta dhe rregulla më të ashpra për migrantët
Reforma e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (CEAS) hyn sot zyrtarisht në fuqi, duke shënuar një nga ndryshimet më të rëndësishme të politikës së migracionit në Bashkimin Evropian pas vitesh negociatash mes vendeve anëtare.
Rregullat e reja synojnë forcimin e kontrollit në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe kufizimin e lëvizjes së azilkërkuesve nga një shtet anëtar në tjetrin. Një nga objektivat kryesore është parandalimi i migrimit dytësor, kur migrantët largohen nga vendi i parë i regjistrimit për të kërkuar azil në një shtet tjetër të Bashkimit.
Sipas reformës, kërkesat për azil do të shqyrtohen më shpejt në kufi, ndërsa personat me pak mundësi për të përfituar mbrojtje ndërkombëtare do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara. Vendimet për këto raste duhet të merren brenda një periudhe maksimale prej 12 javësh.
Gjatë procesit, azilkërkuesit mund të qëndrojnë në qendra të posaçme pritjeje të ngritura kryesisht në vendet që përbëjnë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian.
Reforma synon gjithashtu të lehtësojë barrën mbi shtetet e para të hyrjes, si Greqia dhe Italia, përmes krijimit të një mekanizmi solidariteti mes vendeve anëtare.
Ky mekanizëm parashikon kontribute financiare, ndihmë materiale ose transferimin e azilkërkuesve drejt vendeve të tjera të BE-së, në varësi të kapaciteteve dhe angazhimeve të secilit shtet.
Gjermania nuk do të kontribuojë financiarisht në fondin e solidaritetit gjatë këtij viti, pasi numri i madh i azilkërkuesve që ka pranuar ndër vite konsiderohet si pjesë e kontributit të saj në sistem.
Institucionet evropiane e konsiderojnë reformën si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi më të koordinuar, më të shpejtë dhe më efektiv për menaxhimin e migracionit dhe azilit në Bashkimin Evropian.







