Gjermania kundërshton planin e ri të buxhetit të BE-së: Kërkohen shkurtime më të mëdha
Gjermania ka refuzuar një propozim kompromisi për buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian për periudhën 2028-2034, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe financiarisht të papërballueshëm.
Propozimi është paraqitur nga Qiproja, e cila mban presidencën e radhës së BE-së, dhe parashikon një ulje prej 2%, ose 32.8 miliardë euro, nga buxheti prej 1.76 trilionë eurosh i propozuar fillimisht nga Komisioni Evropian.
Sipas burimeve qeveritare gjermane, plani nuk përmbush kërkesat për disiplinë fiskale dhe nuk mund të shërbejë si bazë për negociatat mes shteteve anëtare.
“Ne kemi nevojë për shkurtime të konsiderueshme të buxhetit në të gjitha fushat”, cituan burimet, duke theksuar se prioritet duhet t’u jepet fondeve për mbrojtjen dhe konkurrueshmërinë ekonomike.
Berlini argumenton se vendet anëtare po përballen me presione të forta financiare dhe se rritja e shpenzimeve në nivel evropian nuk justifikohet nga situata aktuale ekonomike.
Si kontribuuesja më e madhe në buxhetin e Bashkimit Evropian, Gjermania kërkon kufizimin e shpenzimeve në sektorë të tjerë, ndërsa mbështet ruajtjen e investimeve strategjike në siguri dhe zhvillim ekonomik.
Propozimi qipriot synon të krijojë një bazë të përbashkët për shtetet anëtare përpara negociatave me Parlamentin Evropian, por kundërshtimi i Gjermanisë rrezikon të vështirësojë arritjen e një marrëveshjeje.
Çështja pritet të diskutohet javën e ardhshme në Bruksel nga liderët e vendeve të BE-së. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin e Berlinit kundër rritjes së buxhetit evropian, duke kërkuar më shumë përgjegjësi fiskale dhe kontroll të shpenzimeve në të gjithë bllokun.







